Vendosni fjalën kyçe....

Mediet perëndimore: I dërguari i Putinit jep dorëheqjen për shkak të luftës në Ukrainë


Një reformator ekonomik veteran rus Anatoly Chubais, i cili më vonë u bë i dërguar i Putinit në organizatat ndërkombëtare dhe këshilltar i presidentit rus, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij.

I ngarkuar me detyrën për të punuar me organizatat ndërkombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm, ai është zyrtari i profilit më të lartë që ka dhënë dorëheqjen që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Chubais dha dorëheqjen për shkak të konfliktit në Ukrainë, thanë disa burime për gazeta si Bloomberg dhe Reuters.

Sipas medies së fundit, ai është larguar nga Rusia dhe nuk ka ndërmend të kthehet.

Chubais ka dekada përvojë të nivelit të lartë politik dhe biznesit në Rusi dhe shihet si arkitekti kryesor i privatizimit rus në vitet 1990 nën ish-presidentin Boris Yeltsin.

Ai thuhet se rekomandoi Putinin, një ish-oficer i KGB-së, për punën e tij të parë në Kremlin.

Chubais më vonë u bë kreu i kompanisë ruse të nanoteknologjisë Rusnano, derisa u emërua në postin e të dërguarit në vitin 2020.