Presidenti rus Vladimir Putin ka udhëzuar kompaninë e gazit “Gazprom”, që pagesat e furnizimeve për vendet që konsiderohen jo miqësore t’i pranojë vetëm në rubla.
Mëëngjesin e kësaj të mërkurë, Putin tha se Rusia do të refuzojë të pranojë pagesat për furnizimet me gaz natyror në monedha që kanë “komprometuar” vetveten, duke përfshirë dollarin dhe euron.
“Kam vendosur të zbatoj një sërë masash për të transferuar pagesat për, le ta fillojmë me këtë, furnizimin me gazin tonë natyror në të ashtuquajturat vende jomiqësore për Rusinë në rubla sa më shpejt të jetë e mundur.” – theksoi ai sipas TASS, gjatë një takimi të qeverisë.
Putin shpjegoi se kjo do të thotë, se është planifikuar të braktisen të gjitha monedhat e komprometuara në llogaritjet e tilla.
Presidenti rus vuri në dukje se Rusia do të vazhdojë të furnizojë me gaz shtetet e tjera në përputhje me vëllimet dhe çmimet e përcaktuara në kontratat e lidhura më parë.
“Dua të theksoj veçmas se Rusia do të vazhdojë, natyrisht, të furnizojë me gaz natyror në përputhje me vëllimet dhe çmimet, parimet e çmimeve të fiksuara në kontratat e lidhura më parë.”- tha ai.
Putini shtoi se pasi marrëveshjet e gazit të Rusisë me vendet jomiqësore të shndërrohen në rubla, konsumatorët e huaj duhet të jenë në gjendje të kryejnë operacionet e nevojshme.
Kreu i shtetit theksoi se ndryshimet e ardhshme në kontratat e gazit me vendet jomiqësore do të ndikojnë vetëm në monedhën e përdorur për pagesat, ajo do të ndryshohet në rubla ruse.
“I kërkoj qeverisë të lëshojë një direktivë përkatëse për Gazprom për ndryshimin e kontratave ekzistuese. Në të njëjtën kohë, të gjithë konsumatorëve të huaj duhet t’u jepet mundësia për të kryer operacionet e nevojshme.”– urdhëroi Putin.