Vendosni fjalën kyçe....

Qyteti i madh kinez futet në karantinë për shkak të Covid-19


Rreth 4.5 milionë banorë të qytetit verilindor të Kinës, Jilin, do të duhet të futen në karantinë, ndërsa Kina njofton një bllokim treditor për të frenuar përhapjen e virusit, mes shpërthimit më të madh të Covid-19 në vend në dy vjet.

Kina regjistroi në fundjavë mbi katër mijë raste të reja me Covid, numri më i lartë që nga shpërthimi i pandemisë dy vjet më parë. Dy të tretat e vdekjeve të regjistruara ndodhën në provincën Jilin të Kinës, e cila kufizohet me Rusinë dhe Korenë e Veriut.

Të shtunën, Pekini raportoi vdekjen e dy pacientëve që ishin pozitiv me Covid në provincën Jilin. Të dy viktimat, sipas autoriteteve kineze, kishin probleme të tjera shëndetësore dhe nuk vdiqën për shkak të infeksionit të tyre me koronavirus. Para kësaj, asnjë vdekje e vetme e lidhur me Covid nuk ishte regjistruar në Kinë në më shumë se një vit.

Që nga 11 marsi, Changchun, kryeqyteti i provincës Jilin, ka qenë gjithashtu nën kufizime. Nëntë milionë banorët e tij lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për të blerë sende ushqimore, dhe jo më shpesh se një herë në dy ditë.

Ndërkohë, Pekini ka lehtësuar kufizimet në jug të vendit. Qendra e teknologjisë e Kinës Shenzhen do të heqë pjesërisht bllokimin e saj, të vendosur javën e kaluar. Transporti publik i qytetit rifilloi plotësisht të hënën, por disa biznese jo thelbësore mbeten të mbyllura.

Ndërsa Kina po regjistron rritje të rasteve me Covid, Pekini ka reaguar duke shkarkuar disa zyrtarë të rangut të lartë në provincën Jilin, përfshirë kryetarin e bashkisë së qytetit Jilin.

Zhang Lifeng, sekretari i Partisë Komuniste dhe administratori kryesor në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Bujqësore Jilin, u pushua nga puna pas një shpërthimi në kampus. Gazeta shtetërore Global Times tha se ai u pushua nga puna për ‘pakujdesi dhe përgjigje joefektive’ ndaj infeksionit.

Në mënyrë të ngjashme, gjashtë zyrtarë u pushuan nga puna në provincën bregdetare jugore të Guangdong, duke përfshirë një zëvendësdrejtor të departamentit provincial të sigurisë publike.