Vendosni fjalën kyçe....

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës/ GJKKO pezullon gjykimin për 7 nga të akuzuarit, pushohen hetimet për vëllezërit Hajri dhe Doçaj


Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot për pezullimin e gjykimit të procedimit penal ndaj 7 të pandehurve, të akuzuar për vrasjen dhe rrëmbimin e Jani Prengës.

Bëhet fjalë për shtatë të akuzuarit: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Marinit.

Po ashtu, GJKKO ka pranuar kërkesën e prokurorit për pushimin e hetimeve ndaj personave nën hetim Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj. Ndërkohë po vijon gjykimi ndaj dy të pandehurve të tjerë Festim Bexhdili e Olsi Turja.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur pezullimin e gjykimit të procedimit penal nr. 62/2020 ndaj të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini (me viktimë të veprës penal Jani Prenga), të akuzuar për kryerjen e veprave penale ‘Rrëmbim apo mbajtje peng e personit’ ku është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, ‘Mbajtje pa leje e armëve luftarake’ parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit, ‘Fshehja dhe asgjesimi i kufomes’ parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, ‘Grupi i strukturuar kriminal parashikuar nga neni 333a/2 dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal’ parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal, për shkak se nuk kanë marrë dije personalisht për gjykimin, ndërsa ka pranuar kërkesën e prokurorit për pushimin e hetimeve ndaj personave nën hetim Bajrar Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj. Po në këtë gjykatë vijon gjykimi ndaj të pandehurve Festim Bexhdili e Olsi Turja.”– thuhet në njoftimin e GJKKO-së, sipas portalit Shqiptarja.com.

Kujtojmë se Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020, dhe prej gati 2 vitesh trupi i tij nuk është gjetur.

SPAK ka dyshime se pengmarrja e Prengës u porosit nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj, për shkak se i vëllai i tij Astrit Prenga kishte vjedhur një sasi kokaine.