Tenisti spanjoll Rafael Nadal, i cili humbi finalen e ‘Indian Wells’ ndaj amerikanit Taylor Fritz të dielën, tha pas ndeshjes se problemet fizike në gjoks që pësoi po e pengojnë të marrë frymë normalisht.
“Gjithçka që mund të them është se frymëmarrja është e vështirë për mua. Nuk e di, kur përpiqem të marr frymë është e dhimbshme dhe shumë e pakëndshme. Më dhemb brinja, nuk e di ende çfarë është.,” u tha gazetarëve 35-vjeçari.
“Nuk e di nëse është diçka në brinjë, nuk e di ende. Kur marr frymë dhe kur lëviz është sikur të kem një gjilpërë brenda gjithë kohës. Më bën të ndihem pak i trullosur sepse është e dhimbshme. Është një lloj dhimbjeje që më kufizon, shumë. Nuk është vetëm për shkak të dhimbjes: nuk ndihem shumë mirë sepse më ndikon në frymëmarrje”, shtoi ai.
Përveë dhimbjes së gjoksit, Nadal ka probleme edhe me këmbën e majtë. Pas kryerjes së kontrolleve mjekësore Nadal pritet të qëndrojë jashtë garave për 4 deri në 6 javë.
Vetë tenisti u shpreh se ndihej i trishtuar lidhur me këtë gjë, megjithatë pohoi se do zbatojë të gjithë këshillat e mjekëvve.