Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen: Putini është bërë armiku më i keq i rusëve, po bllokon anijet me grurë në Detin e Zi


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin Evropian e ka quajtur presidentin rus Vladimir Putin “armikun më të keq” të rusëve.

Gjatë fjalës së saj, Von der Leyen e akuzoi Putinin se duke pushtuar Ukrainën ka dëmtuar jo vetëm ekonominë e vendeve Perëndimore, por sipas saj edhe Rusinë.

“Qindra kompani globale po largohen nga Rusia, sepse nuk duan të ushqejnë luftën e zgjedhur të Putinit. Kjo, të nderuar anëtarë, është trashëgimia që Putini do të lërë pas në Rusi. Ai është bërë edhe armiku më i keq i popullit rus. Por para së gjithash, ai është përgjegjës për tragjedinë njerëzore në Ukrainë. Deri më tani, më shumë se tre milionë njerëz janë larguar nga Ukraina. Gjysma e tyre fëmijë. Çdo sekondë, një fëmijë nga Ukraina mbërrin në Unionin tonë. Çdo sekondë. Pra, ndërsa unë po ju flas, këtu në zemër të demokracisë evropiane, 800 fëmijë po largohen nga Ukraina – të guximshëm, të traumatizuar dhe në nevojë për ndihmë. Ata lënë pas vëllezërit dhe baballarët e tyre, duke mos ditur nëse do t’i shohin përsëri.”- tha Von der Leyen.

Ajo thotë gjithashtu se presidenti rus po bllokon qindra anije me drithë në Detin e Zi. Von Der Leyen i bn thirrje atij që t’i lërë anijet të kalojnë.

“Për më tepër, Putini po bllokon qindra anije të mbushura me grurë në Detin e Zi. Pra, pasojat do të ndihen nga Libani, Egjipti dhe Tunizia, në Afrikë dhe Lindjen e Largët. I bëj thirrje Putinit që t’i lejojë ato anije. Përndryshe, ai nuk do të jetë përgjegjës vetëm për një luftë dhe vdekje, por edhe për zinë dhe dhe urinë. Lërini këto anije të shkojnë.”- tha ajo.