Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj prezanton projekt-rezolutën për përballimin e rritjes së çmimeve: Të hiqet taksa e qarkullimit


Kryetari i Komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj prezantoi sot në Kuvend një rezolutë për përballimin e krizës.

Gjatë fjalës së tij, Alibeaj u shpreh se produktet e shportës duhet të ulen me 6% ndërsa kërkoi gjithashtu heqjen e taksës së qarkullimit. Gjatë fjalës së tij, Alibeaj recitoi edhe disa vargje nga Peoma e Mjerimit e Migjenit.

“Solemniteti i kësaj pike të rendit të ditës, i kërkesës që u kemi paraqitur këtij Parlamenti, kërkon që tashmë në fund edhe të paraqes një projektrezolutë.

Do të doja të falënderoja të gjithë deputetët, sigurisht do të doja të falënderoja të gjithë kolegët e mi të cilët me përgjegjshmërinë më të madhe, nuk donin dhe nuk bënë kurrsesi politikë por se bënë thjesht dhe vetëm një fotografi, një fotografi të mjerimit në fakt.

Të mjerimit të familjeve shqiptare. Po, falënderoj në fakt edhe deputetët e mazhorancës të cilët atë sikletin e tyre për të gjetur alibira për çfarëdolloj iniciative, e cila nuk kërkon kurrsesi asnjë lloje përfitim kredosh politike apo elektorale, nuk i shpëtuan dot edhe këtij momenti të sotëm.

Kjo është ajo se çfarë ne propozojmë, jo si instrument politik, jo si instrument për të provokuar luftën politike në parlament, për të parë se kush gjen alibitë më perfekte për t’ua shitur barkut bosh tek shqiptarëve, do të duhet të vijë një moment; besoj se ky moment ka ardhur sot që të mendohet me shpirt dhe me zemër për familjet shqiptare.

Merreni këtë si një kërkesë, drejtuar vetëm atyre, vetëm në shërbim të atyre. Dhe teksa te merrni fletën e votimit, të mendoni vetëm këtë gjë.

E pra, për këtë arsye nuk do të bëja dhe nuk do të lëshoja asnjëlloj sinjali provokimi politik, për t’ju vendosur ju në pozicione apo në llogoret tuaja politike në mbrojtje të qeverisë. Keni kohë ta bëni. E keni bërë dhe do ta bëni.

Janë ata që do të na gjykojnë. Por sot do të duhet të mendojmë për  barkun bosh të tyre.

E vetmja gjë që dua të them teksa po dilja këtu.

Më kujtohen 6 rreshtat e parë të “Poemës së mjerimit” të Migjenit, katër të parët po i lexoj:

 ‘Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,

kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi

kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta

që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita.

Kolegë është mirë që dy rreshtat pasues të tyre të mos i bëni realitet.”- tha Alibeaj.