Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e “5 Majit”, Laprakës e Kodër Priftit në protestë para Kuvendit: Do bëjmë kallëzime individuale në gjykatë


Banorët e lagjes “5 Maji”, Laprakës dhe Kodër Priftit kanë protestuar përsëri sot para parlamentit për të kundërshtuar prishjen e shtëpive të tyre.

Ata pretendojnë se pavarësisht protestave të vazhdueshme, Bashkia nuk ka kontaktuar asnjë banor.

Një prej protestuesve u bëri thirrje të gjithë banorëve që të bëjnë kallëzime individuale, pasi sipas tij vetëm kështu mund ta vënë gjykatën në lëvizje.

U bëj thirrje të gjithë banorëve që u prishen shtëpitë në Tiranë të bëjnë kallëzime individuale sepse ashtu mund ta vënë gjykatësin me shpatulla pas murit. Ne banorët e 5 Majit kemi kërkuar marrëveshje në të gjithë Shqipërinë.

Ne do nisim hapat ligjorë. Do dalim nëpër protesta. Ne e kemi problemim me Bashkinë e Tiranës sepse Këshilli i Ministrave ka ngarkuar bashkinë të bëjë aktmarrëveshje me këta banorë. Këta paskan qenë fare e keqe. Se edhe hajdutët ngopen një ditë. Mua më kanë nxjerrë kriminelin më të madh në botë se kam punuar 20 vite në emigrim dhe kam blerë një shtëpi.”- u shpreh banori.

Një tjetër protestues tha se banorët kanë marrë mbështetje nga dy deputetë për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Por duhen 28 ligjvënës në mënyrë që kjo nismë të ecë përpara, prandaj ai bëri thirrje: “Kërkojmë reagim dhe presion ndaj çdo deputeti qoftë i majtë qoftë i djathtë që të votojnë.”