Konçesioni i inceneratorëve, një prej më të akuzuarve në Shqipëri, e quajtur edhe si afera e shekullit, fillon në vitin 2014, pas ardhjes së Rilindjes në pushtet.
Fillimisht është kontrata 22 milionë euro, për inceneratorin e Elbasanit, më pas ajo e Fierit, me 28 milionë euro, për të ardhur në Tiranë, me një kontratë 128 milionë euro.
Pra, tre inceneratorë ku vetëm kontrata fillestare shkon 178 milionë euro, por që taksapaguesve shqiptarë do tiu kushtojë 430 milionë euro.
CNA.al nëpërmjet dokumenteve ekskluzive ka treguar sesi pas koncesionit të inceneratorëve, qëndrojnë të njëjtët persona, që fshihen pas kompanive zinxhir, që shkojnë deri në Hollandë.
Tre emrat kryesorë që dalin në skenë, janë Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, i cili është quajtur edhe si “truri” i skemës së inceneratorëve, dhe Stela Gugallja, kjo e fundit bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit, e shpallur tashmë në kërkim.
Ndërkohë duket se skandalet në lidhje me çështjen e inceneratorëve nuk kanë fund dhe të tjera fakte dhe dokumente dalin në dritë.
CNA.al sjell më poshtë dokumente, që tregojnë kompani të njëjta që vetëm ndryshojnë adresë, apo pronarë.
Bëhet fjalë për kompaninë ARTCON, ku administrator dhe pronar i vetëm është Denist Ymeri, shoferi i Mirel Mërtirit.
Kompania ARTCON është themeluar në vitin 2014 me ortak të vetëm Ilza Zoto. Kjo e fundit bashkëshortja e Klodian Zotos.
Selia qendrore e kompanisë ishte te SKY TOWER kati 13 zyra 133.
Emri fillestar i kompanisë ishte “Artemis Farm” me objekt aktiviteti rritje derrash dhe prodhim ushqimi për kafshët, gjë që vërtetohet dhe me anë të dokumentacionit të gjetur mbi vendimet e Komisionit të Shqyrtimit të aplikimeve për vlerësimin e ndikimit në mjedis.
Nga të dhënat publike në QKB rezulton se:
Në qershor të 2015 Ilza Zoto me anë të një prokure të posaçme autorizon Luan Duzhen (administrator i incenmeratorit të Fierit) për të kryer veprimet pranë një banket ë nivelit të dytë. Në të njëjtin autorizim përmendet dhe Arjola Kodra e cila autorizohet që të kryejë të gjitha procedurat pranë QKB-së.
Në korrik të vitit 2015 kompania hap një adresë dytësore në Vaqarr, fshati Vishaj godina 12.
Në shtator të vitit 2015 shtohen dhe dy adresa të tjera një në Vishaj dhe një në Pezë-Helmes.
Në tetor të vitit 2015 shtohet dhe objekti i aktivitetit ku shtohet përpunimi i mbetjeve të ushqimeve të kafshëve, punime civile dhe transport.
Në nëntor të vitit 2016 Ilza Zoto shet aksionet te DENIST YMERI në vlerën 100.000 lekë.
Në qershor të vitit 2017 kompania mbyll të gjitha adresat dytësore.
Në tetor të vitit 2017 kompania ndryshon dhe adresën e selisë qendrore nga SKY TOWER, në Laprakë, rruga Halil Aga nr 5.
Në maj të vitit 2020 kompania ndryshon emër nga ARTEMIS FARM në ARTCON.
Në tetor të vitit 2021 kompania ndryshon sërish selinë dhe transferohet te njesia numër 10, rruga Besim Mema, pallati nr. 105 zyra 3.
Bilancet e kompanisë:
Bilanci vitit 2014 tregon se kompania nuk ka patur aktivitet por ka qënë në faze investimit dhe ka dalë me humbje 4.057.000 lekë.
Fondi i pagave ka qënë në vleren 2.000.000 lekë.
Në vitin 2015 kompania deklaron si të ardhura 22.028.128 lekë dhe një humbje prej 153.839 lekë.
Fondi i pagave në vitin 2015 është 7.437.092 leke.
Në vitin 2016 kompania si të ardhura deklaron 1.666.667 leke dhe një humbje prej 12.407.230 lekë.
Fondi i pagave 7.034.650 lekë
Në vitin 2017 kompania deklaron si të ardhura 0 lekë dhe një humbje prej 3.210.134 lekë.
Fondi i pagave është 1.189.336 lekë.
Në vitin 2018 kompania deklaron si të ardhura nga aktiviteti 5.000.000 lekë dhe humbje në vlerën 1.399.490 lekë
Fondi i pagave është 918.487 lekë.
Në vitin 2019 kompania deklaron 0 të ardhura nga aktiviteti dhe një humbje prej 4.757.242 lekë.
Fondi i pagave është 883.500 lekë.
Në vitin 2020 kompania deklaron të ardhura në vlerën 559.400.615 lekë dhe një fitim në vlerë 95.549.212 leke.
Fondi i pagave është 7.909.897 lekë.
Ajo çka duket qartë është se kjo kompani në disa vite më së shumti nuk ka ushtruar aktivitet dhe pse deklaronte disa mjete (aktive) në bilancin e saj, kompania deklaronte dhe huamarrje të cilat nuk janë të qarta sesi janë marre (sistem bankar apo individ).
Ndërkohë muk është ende e qartë se me cilat likuiditete janë paguar pagat dhe shpenzimet e tjera operative që deklaronte kjo kompani që nga viti 2014.
Me të dhënat e disponuara vlera e qarkullimit të kësaj kompanie është edhe më e lartë se ajo në vitin 2020 por ende nuk është bërë publikimi në QKB, (bëhet në qershor -korrik 2022).
Nesër, CNA.al do vazhdojë të tregojë lidhjet e kompanisë ARCON dhe lidhjet me kompanitë e tjera të inceneratorëve.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al