Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u ndal në krizën ekonomike gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku u shpreh me ironi se për të gjitha të mirat, duhet t’ja dimë për nder Zeusit, duke iu referuar këtu kryeministrit Edi Rama.
Kryemadhi tha se “Paketa e Furnelës” nuk i zgjidh dot hallet e shqiptarëve.
“Të nderuar deputetë të vendit më të pasur në botë, me shëndetësi falas dhe taksat më të ulëta në botë dhe ekonominë më të zhvilluar, që ka çdo gjë më mirë se kushdo tjetër dhe duhet t’ja dijmë për nder Zeusit.
Është shumë korrekte kur kemi një kohë të limituar për paketën e furnelës dhe rezistencës por një e tillë nuk zgjidh dot hallet e shqiptarëve.
Janë rritur çmimet me 30%, Lartmadhënia e qan strukturën e bordeve me 1 mijë e ca punonjëssit e tij, ka nga ata që paguhen për të bërë eskortën e kryetarit të bashkisë.
Me 24 shkurt në këtë foltore u kam thënë lërini këto deklarata dhe u kërkova të mblidhej këshilli i Emergjencës.
Një nga koleget përmendi pandeminë dhe tërmetin, po ato i kanë kthyer qytetarët në skllevër të lëmoshës dhe janë kthyer në skemë të pastrimit të parave.
Mjafton të shikosh eksportuesit e ilaceve dhe çmimet e naftës. Edhe sot që po flasim për rezistencën, nuk është gjë tjetër se kapitullim i plotë. Do doja të flisja pafund por më erdhi një video nga Dubai, nuk pashë ndonjë fytyrë deputeti të vuajtur, s’ka gjë të keqe se njerëz jemi por të paktën për moral politik mos të tallemi me qytetarët.
Nganjëherë jam e bindur që qytetarët e kuptojnë kur u themi se kemi bërë gabim dhe na falni, sesa kur mashtrojmë.”- tha Kryemadhi.