Gjyqtari Kastriot Gramshi më datë 25 mars do dalë përpara trupës së Komisionit të Pavarur të Apelimit.
Hashtag.al ka publikuar disa javë më parë dy shkrime se si gjyqtari Gramshi mashtroi anëtarët e Komisionit të Vettingut, ndërsa jepte shpjegime për një ndërtim shtesë pa leje që kishte dyfishuar hapësirën e shtëpisë së tij si dhe vendimin ku Gjyqtari jepte dënim për një qytetar që kishte ndërtuar pa leje ndërsa po ai vetë kishte ndërtuar pa leje.
ZBULOHEN DOKUMENTET – Gjyqtari Kastriot Gramshi mashtroi komisionin e vettingut
Gjyqtari i Tiranës Kastriot Gramshi dyshohet se ka mashtruar anëtarët e Komisionit të Vettingut, ndërsa jepte shpjegime për një ndërtim shtesë pa leje që kishte dyfishuar hapësirën e shtëpisë së tij.
Në seancën dëgjimore të së martës së 15 shkurtit Gramshi u shpreh se ai kishte aplikuar në vitin 2016 për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës dhe kishte nisur ndërtimin e shtesës së shtëpisë në vitin 2017.
U shpreh Gramshi në seancë:
“Denoncimi për ndërtim pa leje është kryer nga një person i proceduar ndaj të cilit unë kam caktuar masat e sigurimit. Leja e ndërtimit është kërkuar në 2016-ën, ndërsa punimet filluan në vitin 2017, vit në të cilin dhe përfunduan”.
Por një dokument i siguruar nga Hashtag.al sugjeron se Gramshi ka mashtruar anëtarët e KPK-së, pasi nëpërmjet një shkrese zyrtare Bashkia e Tiranës ka konfirmuar se gjyqtari Gramshi nuk ka aplikuar asnjëherë për leje ndërtimi për shtesën që ka ndërtuar.
Nga ana tjetër që prej vitit 2017 kur ai ka përfunduar dhe ndërtimin e shtesës që dyfishoi sipërfaqen e shtëpisë, nuk rezulton që Kastriot Gramshi të ketë aplikuar për legalizimin e saj.
Ky fakt konfirmohet nga një tjetër shkresë zyrtare nga Agjencia e Kadastrës, e cila konfirmon se Gramshi nuk ka aplikuar asnjëherë për legalizimin e këtij ndërtimi.
Mos aplikimi për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës dhe mungesa e një kërkese për legalizimin e shtesës pa leje, e vendos gjyqtarin Gramshi jo thjesht në pozitat e shkeljes së ligjit, por dhe të fshehjes së pasurisë, pasi nuk rezulton asnjë akt ligjor që të vërtetojë se Gramshi ka dashur ta formalizojë ligjërisht ndërtimin pa leje.
Si e dënoi gjyqtari Kastriot Gramshi qytetarin që kishte ndërtuar pa leje njësoj si vet gjyqtari
Gjyqtari Kastriot Gramshi i cili mashtroi Komisionin e Vettingut për një ndërtim shtesë pa leje, ka dënuar për ndërtim pa leje një qytetar në Vorë, një ditë pas zbulimit të mashtrimit të tij.
Në vendimin e dhënë me datë 16 shkurt, gjyqtari Gramshi ka dënuar një qytetar në Vorë për ndërtim pa leje, ndërkohë që në të njëjtën ditë iu zbulua mashtrimi për ndërtimin e vet pa leje.
Një ditë më herët, më 15 shkurt, gjyqtari Kastriot Gramshi mashtroi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjatë seancës dëgjimore ai u shpreh para treshes së vetingut se kishte aplikuar në vitin 2016 për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, ndërsa punimet për shtesës që ka dyfishuar hapësirën e banesës së tij i kishte nisur në vitin 2017.
Por një ditë më pas, më 16 shkurt, ditën kur edhe ai dënoi qytetarin për ndërtim pa leje, u vërtetua me dokumente se gjyqtari Kastriot Gramshi kishte mashtruar para Komisionit të Vetingut.
Një dokument i siguruar nga Hashtag.al tregoi se Gramshi kishte mashtruar anëtarët e KPK-së, pasi nëpërmjet një shkrese zyrtare Bashkia e Tiranës konfirmoi se gjyqtari Gramshi nuk kishte aplikuar asnjëherë për leje ndërtimi për shtesën që ka ndërtuar.
Nga ana tjetër që prej vitit 2017 kur ai ka përfunduar dhe ndërtimin e shtesës që dyfishoi sipërfaqen e shtëpisë, nuk rezulton që Kastriot Gramshi të ketë aplikuar për legalizimin e saj.
Ky fakt konfirmohet nga një tjetër shkresë zyrtare nga Agjencia e Kadastrës, e cila konfirmoi se Gramshi nuk kishte aplikuar asnjëherë për legalizimin e këtij ndërtimi.
*Vendimin e gjeni të plotë këtu: Vendimi i gjyqtarit Kastriot Gramshi /Hashtag.al