Vendosni fjalën kyçe....

Ogerta Manastirliu: Do mbahet mend si periudha e bollëkut të ngjarjeve të paparashikuara, por ku dallon një qeveri e përgjegjshme


Kur mori fjalën në foltoren e Kuvendit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se kjo periudhë do të mbahet mend si “koha e bollëkut të ngjarjeve të paparashikuara” duke renditur këtu: tërmetin, pandeminë dhe së fundmi krizën e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

“Nuk ka më asnjë dyshim se kur historia të mbajë shënim këto 4-5 vitet e fundit do kujtohet si koha e bollëkut të ngjarjeve të paparashikuara. Nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019 tek pandemia globale e deri tek pasojat e një lufte absurde mu në mes të Europës, të cilat padyshim kanë pasojat e pashmangshme mbi të gjithë sektorët e jetës.

Kriza me përmasat globale po ja lënë vendin njëra tjetrës në një frekueencë që bota nuk e kishte parë prej shumë kohësh. Si pandemia e Covid-19 përshembull, pasojat e të cilës vazhdojmë t’i ndjejmë në shëndetin e qytetarëve apo sistemin shëndetësor apo tërmetin që falë solidaritetit qytetar ja dolëm të mos e lejonim të na gjunjëzonte.

Një qeveri e përgjegjshme dallon sa shpejt reagon, kujt i bëhet mburojë, edhe një mijë fjalime të mbanim sot do ishin të panevojshme para fakteve që janë kokëfortë. Faktet na thonë se pavarësisht pasojave të tërmetit, sot shumë qytetarë jetojnë në shtëpi të reja në lagje model me një jetë të re.

Është ilustrimi më i mirë se si një qeveri duhet të reagojë. Por një qeveri duhet të paraprijë, të investojë për përballimin e ngjarjeve të pazakonta. Nuk e imagjinoj dot se si do e përballonim pandeminë me atë sistem shëndetësor që gjetëm.”- tha Manastirliu.

Ajo shtoi se qeveria ka bërë një punë model për përballimin e këtyre krizave dhe se “kjo qeveri i ka dhënë provat për raste emergjente dhe krize”.