Vendosni fjalën kyçe....

Reagon për herë të parë Gazmend Paja: Po, kam aplikuar për investitor strategjik


Aktori i humorit Gazmend Paja ka reaguar lidhur me shkrimet në medie, se ai kishte përfituar statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort luksoz në Dhërmi.

Në një postim në “Instagram”, Paja shkruan se nuk ka përfituar asnjë cm2 tokë nga shteti. Por ajo që ka ndodhur sipas tij është se kompanitë e Startek dhe Ecotech kanë nënshkruar një marrëveshje me një kompani të huaj, të specializuar në fushën e turizmit për të ndërtuar një resort turistik. Dhe ai thekson se ka aplikuar për investitor strategjik, në konform me ligjin. Sipas tij, me një pjesë të pronarëve janë nënshkruar marrëveshjet përkatëse, ndërsa me pjesën tjetër janë ende në fazë negocimi.

 “Nuk kam përfituar asnjë cm2 tokë nga shteti. Në vijim të shpifjeve të turpshme dhe të motivuara politikisht që qarkullojnë në media, dëshiroj të sqaroj opinionin publik për sa vijon: Kompanitë Startek dhe Ecotech kanë nënshkruar një marrëveshje me një kompani te huaj, të specializuar në fushën e turizmit për ndërtimin e një resorti turistik. Për këtë qëllim, kemi vënë në dispozicion një pronë të cilën e kemi blerë nga pronarë të ligjshëm si dhe asete financiare të garantuara nga Bankat.

Kemi aplikuar për investitor strategjik, si një e drejtë që na jep ligji në bazë të vlerës së investimit.

Kushti Ligjor për marrjen e statusit të mësipërm është: Dakordësia me gjithë pronarët e ligjshëm të pronave në këtë zonë, ku me një pjesë të pronarëve janë nënshkruar marrëveshjet përkatëse, ndërsa me pjesën tjetër jemi ende në fazë negocimi. Përgënjeshtrojmë me forcë shpifjet në qarkullim dhe theksoj se: që nga fillimi i këtij procesi e deri më sot, nga ana jonë, nuk është përfituar asnjë cm2 tokë shtetërore.”-shkruan Paja duke u munduar të hedhë poshtë akuzat se është favorizuar nga qeveria.