Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dëbon diplomatët amerikanë


Rusia ka njoftuar dëbimin e një numri të paspecifikuar diplomatësh amerikanë në përgjigje të një urdhri të qeverisë amerikane për të hequr 12 punonjës nga misioni i Moskës në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork.

Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë të mërkurën se ajo thirri ‘një diplomat të lartë të misionit diplomatik të SHBA-së në Moskë’ dhe i dorëzoi atij ‘një notë me një listë të punonjësve diplomatikë amerikanë që do të deportoheshin dhe që janë shpallur ‘persona non grata’.

Ministria shpjegoi se ishte një hakmarrje ndaj dëbimit të diplomatëve rusë nga misioni i OKB-së dhe të një punonjësi rus nga Sekretariati i OKB-së.

“Palës amerikane iu tha me vendosmëri se çdo veprim armiqësor i Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë do të merrte një përgjigje vendimtare dhe të përshtatshme”, thuhet në deklaratë.

Uashingtoni njoftoi Moskën për vendimin e saj për të shpallur persona non grata 12 diplomatë rusë në fund të shkurtit. SHBA pretendoi se rusët që u dëbuan kishin qenë ‘të përfshirë në veprimtari spiunazhi që janë të dëmshme për sigurinë tonë kombëtare’.

Moska e dënoi vendimin në atë kohë, duke fajësuar Uashingtonin për një shkelje të rëndë të angazhimeve dhe duke i bërë thirrje atij që të tregojë ‘logjikë të shëndoshë’ dhe të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm.

Një javë më parë, SHBA urdhëroi gjithashtu dëbimin e diplomatit të dytë më të lartë në ambasadën ruse në Uashington, Sergej Trepelkov. Në fund të vitit të kaluar, SHBA urdhëroi 27 diplomatë rusë të largoheshin. Më parë, rreth 200 diplomatë rusë punonin në SHBA.