Vendosni fjalën kyçe....

SHBA sanksionon 300 anëtarë të Dumës ruse


Pas takimit të NATO-s, presidenti amerikan Joe Biden ka folur për mediat duke theksuar se anëtarët e aleancës treguan unitet në lidhje me ndihmën ushtarake për Ukrainën, vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe Putinit për shkak të pushtimit dhe rreth forcimit të kufijve lindorë të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ofruar mbi 1 miliard dollarë pajisje ushtarake për Ukrainën që kur unë u bëra president. Sistemet kundërajrore, sistemet anti-tank, municionet dhe armët tona po shkojnë në Ukrainë ndërsa flas unë. Dhe sot, unë po njoftoj se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndajnë më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për ukrainasit e prekur nga lufta në Ukrainë”, tha Biden.

“Shumë refugjatë duan të qëndrojnë në Evropë, por ne kemi pranuar 100 mijë”, shtoi ai.

Ai gjithashtu njoftoi sanksione të reja për më shumë se 400 individë dhe subjekte. “Më shumë se 300 anëtarë të Dumës dhe oligarkë që drejtojnë makinën ruse të luftës do të sanksionohen. NATO-ja nuk ka qenë kurrë më e bashkuar se sot”, tha Biden.

Ai ka komentuar edhe bisedën me presidentin kinez. “Kam pasur një bisedë të sinqertë me të rreth 6-7 ditë më parë dhe i thashë qartë se ai duhet të kuptojë pasojat e ndihmës për Rusinë. Unë nuk kërcënova, por vura në dukje numrin e korporatave të huaja që u larguan nga Rusia pas fillimit të kësaj sjelljeje barbare”.

“Unë mendoj se Kina e kupton se e ardhmja e saj ekonomike është më e lidhur me Perëndimin sesa me Rusinë dhe shpresoj që ajo të mos përfshihet në bashkëpunim me Rusinë”, shtoi ai.

Biden tha se SHBA-ja do të përgjigjen nëse presidenti rus, Vladimir Putin përdor armë të shkatërrimit në masë, por se përgjigja do të varet nga situata.

Biden rreth mundësisë së përdorimit të armëve kimike nga ana e rusëve tha se “ne do të përgjigjemi nëse ai e përdor atë. Natyra e përgjigjes do të varet nga natyra e përdorimit.”

Më herët sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca do të përforcojë sistemet e mbrojtjes kimike, biologjike dhe bërthamore nga frika se Rusia po planifikon të përdorë armë të tilla kundër popullit të Ukrainës.