Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të parashikojnë të presin 100 mijë ukrainas të larguar për shkak të luftës


Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten planet se Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin deri në 100,000 ukrainas dhe të tjerë që janë larguar nga sulmi rus i vendit të Evropës Lindore.

Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, Shtëpia e Bardhë tha se plani është pjesë e një pakete më të madhe ndihme humanitare prej 1 miliard dollarësh për të ndihmuar të gjithë ata që janë prekur nga “lufta e Rusisë në Ukrainë”.

Shtëpia e Bardhë tha se ndërsa pret që shumica e ukrainasve të zgjedhin të qëndrojnë në Evropë pranë familjes dhe shtëpive të tyre, refugjatët do të mirëpriten përmes Programit të pranimit të refugjatëve të SHBA-së dhe rrugëve të tjera të zakonshme ligjore. Deklarata thotë se po kërkon gjithashtu të zgjerojë dhe zhvillojë programe të reja duke u përqëndruar tek ukrainasit që kanë anëtarë të familjes në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët thonë se qeveria amerikane po koordinon ngushtë me Bashkimin Evropian në përpjekjet për të ndihmuar refugjatët dhe për të ofruar transferime dhe pranime humanitare.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë tha se paketa e re humanitare do të përfshijë gjithashtu fonde për të garantuar sigurinë ushqimore, strehim, ujë të pastër, furnizime mjekësore dhe forma të tjera ndihme për ata që janë prekur nga “agresioni rus”.

Deklarata thotë se paketa përfshin 320 milionë dollarë shtesë në financim për demokracinë dhe të drejtat e njeriut për Ukrainën dhe fqinjët e saj.

Shtëpia e Bardhë thotë se që nga 24 shkurti, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 123 milionë dollarë për të ndihmuar vendet fqinje të Ukrainës dhe Bashkimin Evropian të presin miliona refugjatë që kanë ikur nga vendi, me financimin që është ndarë midis Polonisë, Moldavisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Republikës Sllovake.