Kryetari i Komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj ka dalë në një deklaratë për mediet, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të njohur statutin e PD-së të miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit duke njohur si organ drejtues Komisionin e Rithemelimit.
Alibeaj e konsideroi vendimin skandaloz ndërsa theksoi se ndaj gjyqtarit Agron Zhukri do ngrihet një kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe se ky vendim do të ankimohet.
“Jemi njohur nga mediet lidhur me një vendim që ka marrë Gjykata e Tiranës nga gjyqtari Agron Zhukri. Në njohuritë e mia juridike por edhe në njohuritë e kujtdo që njeh nga media se si zhvillohen gjyqet, për mua është një vendim në nivelet e skandalit.
Pse? Për një arsye fare të thjeshtë sepse siç e dini ju, gjyqtari vetë ka deklaruar njohjet e veta dhe anësinë e tij në këtë proces gjyqësor, pavarësisht kësaj gjyqtari edhe në tejkalim të ligjit ka marrë në gjykim çështjen.
Së dyti ju duhet të dini se Partia Demokratike ka bërë ankim për regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 18 dhjetorit.
Dëgjoni me kujdes, ne kemi bërë një ankim për regjistrimin e Kuvendit të 18 Dhjetorit. Është i fundit Kuvend që PD ka realizuar. Çështja është në apel, bashkë me të gjithë dosjen, me të gjithë provat. Gjyqtari i sotëm nuk ka patur një dosje. Ai ka marrë një vendim, nuk e kemi të zbardhur, nuk e dimë, por nga ajo që mediet kanë njohur ka marrë një vendim pa pasur prova, pa pasur dosje. Dhe e dyta pa pasur palë.
Do duhej të ishim edhe ne palë. Lind detyrimi për të paraqitur një kallëzim penal për shpërdorim detyre për gjyqtarin. Të cilin e kam autorizuar. Vendimi i sotëm i cili nuk është i zbardhur, është një vendim ndaj të cilit ne do bëjmë një ankim.”– tha Alibeaj.
Ai theksoi se që vendimi i gjykatës të jetë i ekzekutueshëm, duhet të pritet vendimi i Apelit. Kështu, Alibeaj la të kuptohet se selia nuk do të lirohet deri në momentin që gjykata të thotë fjalën e fundit.
Sipas tij, vendimi i sotëm i gjykatës për të njohur statutin e Kuvendit të 11 Dhjetorit “është nul“, pasi PD-ja nuk është palë në atë proces./Hashtag.al