Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka folur për mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga formati i G20-ës.
Këtë të premte ai u tha gazetarëve se në kushtet aktuale, përjashtimi nga G 20 nuk do të ishte “fatale” për Rusinë.
“Sa i përket formatit G20, ai është i rëndësishëm. Por, nga ana tjetër, në kushtet aktuale, kur shumiça e pjesëmarrësve në këtë format janë realisht në gjendje lufte ekonomike me ne, me iniçiativën e tyre nuk do të ndodhë asgjë fatale. Por në çdo rast, Rusia ende udhëhiqet nga opinioni i pjesëmarrësve të tjerë në këtë format dhe do të jetë e gatshme, nëse është e mundur, të marrë pjesë në të.”- theksoi zëdhënësi i Kremlinit sipas TASS.
Peskov përsëriti se nëse pjesëmarrja në G20 nuk është më e mundur, asgjë fatale nuk do të ndodhë.
“Është e qartë se në kushtet kur shkelen të gjitha rregullat e OBT-së, ligji ndërkombëtar, ne duhet të ndërtojmë lloje të reja marrëdhëniesh në të gjitha fushat. Kjo është ajo që ne do të bëjmë.”- përfundoi Peskov.
Zyrtari i Kremlinit vuri në dukje se SHBA-të po vazhdojnë në mënyrë mjaft agresive politikën e izolimit të Rusisë.
“Deri më tani, kjo linjë mund të ishte vetëm pjesërisht efektive, bota është ende shumë më e larmishme se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.”– tha sekretari i shtypit i Presidentit.
Kujtojmë se më herët, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh pro përjashtimit të Rusisë nga G20, megjithatë pranoi se disa vende të tjera nuk ishin dakord me një lëvizje të tillë.