Vendosni fjalën kyçe....

Rebelët Houthi godasin disa objekte energjie e magazina nafte në Arabinë Saudite (Video)


Një objekt magazinimi i kompanisë shtetërore të naftës ‘Aramco’ është goditur nga një sulm në Jeddah, tha një burim për Reuters.

Media shtetërore saudite raportuan një varg sulmesh me dronë dhe raketa nga rebelët Houthi të Jemenit të lidhur me Iranin dhe një shtëllungë e madhe tymi i zi u pa që ngrihej në Jeddah.

Zëdhënësi ushtarak Houthi, Yahya Sarea, tha të premten në një postim në Twitter se ai do të njoftonte hollësi mbi një operacion të gjerë ‘thellë’ në Arabinë Saudite.

Njoftimi i Sarea vjen pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton grupin Houthi pengoi dhe shkatërroi disa dronë dhe raketa të mbushura me eksplozivë të premten që synonin rajonin jugor të mbretërisë dhe goditjen e impianteve të ujit dhe energjisë elektrike.

Ky nuk është sulmi i parë ndaj objekteve të energjisë në vend. Pak ditë më parë, një tjetër sulm me dron u krye ndaj disa puseve të naftës në një tjetër qytet të Arabisë Saudite duke bërë që vendi të ulte prodhimin e naftës.