Udhëheqësit e BE-së nuk ranë dakord mbi një mënyrë për të trajtuar rritjen e çmimeve të energjisë, pavarësisht bisedimeve maratonë në ditën e dytë të samitit të BE-së të premten.
“Sot, ne diskutuam çështje të lidhura me energjinë,” u tha gazetarëve pas samitit presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke shtuar se liderët e BE-së ‘punuan gjithë ditën për të qenë në gjendje të tregojnë unitetin dhe vendosmërinë’.
Ai e quajti çështjen ‘shumë të vështirë’, pasi ndikimi i saj është ndjerë kudo në Evropë dhe theksoi se liderët janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Komisionin Evropian dhe operatorët ekonomikë për të identifikuar ‘masat më efektive’ të mundshme.
Ursula von der Leyen, shefja e Komisionit Evropian, konfirmoi gjithashtu se pjesëmarrësit e samitit shikuan ‘mundësi të ndryshme për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të energjisë tek konsumatorët dhe bizneset’, duke përfshirë mbështetjen me të ardhura, kuponët e ndihmës shtetërore, taksat e zvogëluara e kufizimet e çmimeve.
Me kërkesë të liderëve të BE-së, Komisioni Evropian do të propozojë opsione në maj për të shkëputur çmimin e gazit nga çmimi i përgjithshëm i energjisë elektrike, shpjegoi ajo.
Dallimet mes vendeve të BE-së ishin të njohura edhe para samitit. Ndërsa Spanja, Italia, Greqia, Portugalia, Franca, Belgjika dhe Polonia favorizojnë ndërhyrjen në tregun e energjisë dhe kufizimin e çmimeve, Gjermania, Holanda dhe vendet baltike e kundërshtojnë atë.