Ukraina i ka thënë SHBA-së se duhet urgjentisht të furnizohet me 500 raketa antitank Javelin dhe 500 raketa të mbrojtjes ajrore Stinger në ditë, raportoi të enjten CNN, duke cituar një dokument të paraqitur para ligjvënësve amerikanë.
Vendet perëndimore kanë dërguar armë dhe pajisje ushtarake në Kiev, por presidenti Volodymyr Zelensky thotë se nuk mjaftojnë për të shmangur sulmin rus që filloi një muaj më parë.
CNN citoi burime të kenë thënë se Ukraina tani po kërkon ‘qindra më shumë raketa’ sesa në kërkesat e mëparshme të dërguara ligjvënësve. Duke iu drejtuar udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s përmes një videomesazhi të enjten, Zelensky tha se nuk kishte marrë një ‘përgjigje të qartë’ për kërkesën.
NATO-ja dhe SHBA-ja në mënyrë të ngjashme refuzuan të krijonin një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, ose të furnizonin Kievin me avionë luftarakë të epokës sovjetike, nga frika se kjo mund të shkaktonte konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Blloku, megjithatë, ripohoi mbështetjen e tij për Ukrainën, ndërsa vende si Britania e Madhe dhe Suedia premtuan të dërgojnë armë shtesë antitank. Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha të enjten se ‘armët tona po shkojnë në Ukrainë ndërsa unë flas’.