Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtarët e Ukrainës: Mund të kenë vdekur 300 veta nga sulmi në Teatrin e Mariupolit


Të dhëna të reja janë bërë me dije në lidhje me bombardimin e një jave më parë të teatrit në qytetin jugor të Mariupolit në Ukrainë.

Deri më tani, nuk ishte publikuar asnjë numër për viktimat, pasi rrënojat dhe granatimet e vazhdueshme e kanë bërë të vështirë verifikimin.

Por siç shkruan BBC, tani zyrtarët ukrainas thonë se rreth 300 njerëz mund të kenë vdekur nga sulmi në teatrin ku ishin strehuar qindra njerëz.

Zyrtarët ukrainas thonë se sulmi është kryer nga Rusia. Rusia mohon të ketë sulmuar teatrin, megjithëse sulmet e saj ndaj ndërtesave të panumërta të banimit dhe objekteve të tjera joushtarake janë raportuar në të gjithë vendin.

“Nga dëshmitarët okularë po dalin informacione se rreth 300 persona kanë vdekur në Teatrin e Dramës së Mariupolit.”- shkroi bashkia e Mariupolit në Telegram.

Ka kaluar më shumë se një javë pas sulmit, por sërish mbetet e paqartë se sa njerëz ishin në teatër në atë kohë.

Vlerësimet nga këshilli i qytetit dhe grupi i fushatës Human Rights Watch sugjerojnë se një numër midis 500 dhe 1000 njerëzish ishin strehuar në ndërtesë disa ditë para sulmit.