Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeci nëpërmjet një deklarate për shtyp ka dhënë informacione mbi situatën e gripit të shpendëve në vend e cila në ditët e kaluara shfaqi një situatë tepër shqetësuese.
“Në 24 orët e fundit nuk kemi pasur asnjë rast të ri me gripin e shpendëve. Vazhdon procesi i eliminimit sipas rregullave dhe protokolleve të shpendëve të infektuara. Nuk kemi pasur as denoncime. Në të gjithë territorin e vendit, vazhdon asgjësimi i shpendëve të prekura dhe shfarosja e tyre. Nga kontrollet e kryera, për monitorim, situata paraqitet e shëndetshme. Nuk ka vatra të tjera të dyshuara. Autoritetet po ushtrojnë kontrolle në territor. Është marrë dhe një vendim, ku do të ketë masa për shitjen e shpendëve dhe kafshëve në mjedise të hapura. Aktualisht nuk jemi asnjë rast të ri të konfirmuar apo ndonjë stabiliment me mish, të infektuar”, tha zv.ministrja.
Gripi i shpendëve fillimisht u shfaq në zonën qendrore të Shqipërisë, ku në disa ferma në zonë e Shijakut dhe Durrësit pati një shpërthim të madh të infektimeve duke bërë që të ngordhin një numër i lartë i shpendëve.
Në një njoftim të Ministrisë së Bujqësisë më 24 mars ishin regjistruar “382, 672 shpendë të ngordhur”.
Influenca aviare ka prekur edhe shpendët e oborrit në Divjakë dhe Devoll si dhe po kryeheshishin analiza për monstra të marra në qarqet Tiranë, Fier, Kukës dhe Shkodër bënte me dije në datën 25 mars drejtoresha e Autoritetit Veterinar
“Aktualisht kemi konfirmimin e një vatre të re në qarkun Fier, bashkia Divjakë, dhe një në Devoll. Me identifikimin e vatrave të reja, sipas planit të kontigjencës dhe legjislacionit në fuqi po shtohen masat për mbajtjen nën kontroll të situatës. Përveç qarqeve që janë evidentuar raste janë duke u kampionuar edhe mostra në qarqet e Tiranës, Fieri, Kukësit, Shkodrës në të cilat ne marrim”- Tana Kika, drejtoresha e Autoritetit Veterinar.
Gjatë pikut të gripit problematikë u shfaq edhe groposja e shpendëve të ngordhura. Për shkak të numrit të madh të tyre dhe procedurave të groposjes ngjalli shqetësime si te qytetarët ashtu edhe te subjektet e prekura.
Ditën e sotme në deklaratën e saj zv/ministrja Gjeci tha se procesi i groposjes vijon dhe do duhet të marrë kohë.
Ajo shtoi se procesi i eliminimit të shpendëve të infektuar do të zgjasë të paktën edhe 5 deri në 6 ditë, pasi është procedurë që kërkon kujdes.
“Procesi është i gjatë, ka ende kafshë të gjalla që kanë destinacion eliminimin e tyre dhe procedura kërkon që ato të eliminohen gradualisht. Është një proces që mund të shkojë nga 5 deri në 6 ditë. Për vatrat e tjera bëj me dije që janë të pastruara, janë në numër të vogël të ngordhjeve. Janë ferma të vogla apo shpendët e oborrit që duhet të bëjnë dezinfektimit“, theksoi Gjeci.
Gripi i shpendëve nuk la pa prekur as shpendët në gjendje të egër. Kjo pasi u evidentuan raste në liqenin e Prespës së Vogël në pjesën e shtetit grek.
Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Korçë konfirmoi rastet më 22 mars se një çift pelikanësh, i gjetur i ngordhur disa ditë më parë në liqenin e Prespës së Vogël, kanë qenë të prekur nga gripi i shpendëve. Pak ditë më parë Agjencia e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit lajmëroi se gripi i shpendëve ka qenë aktiv në liqenin e Prespës në anën greke. Me sa duket virusi ka prekur dhe shpendët në territorin tonë.
Për të gjithë situatën, Gjeci në deklaratën e sotme u shpreh se do të duhet kohë deri sa gjithçka të përfundojë dhe sëmundja të jetë zhdukur.
Do bëhet hetim epidemiologjik që do shohë si ka evoluar sëmundja dhe më pas do dilet në një konkluzion. Prioritet është shuarja e vatrave të ndalojmë përhapjen e sëmundjes në vatrat e tjera. Ky është fokusi, por situata është në monitorim të vazhdueshëm. Është një proces që do zgjasë dhe do vazhdojmë deri në momentin që do garantojmë që sëmundja është zhdukur”, përfundoi zv.ministrja/Hashtag.al