Kreu i grupit parlamentar të PS-së është shfaqur në një supermarket me një karrocë në dorë.
Ai shkruan se lufta në Ukrainë ka pasoja për sa i përket rritjes së çmimeve.
Balla thekson se qeveria do kompensojë për tre muaj rresht rritjen e çmimeve të ushqimeve të shportës për disa kategori shoqërore.
Shfaqja e Ballës në supermarket vjen pas atyre të kryeministrit Rama e ministres Spiropali duke vizituar supermarketet.
“Lufta në Ukrainë ka pasoja. Përmes Paketës së Rezistencës Sociale, ne kemi marrë masat që goditja nga kriza e çmimeve në tërësi të mos dëmtojë shqiptarët më në nevojë. Qeveria do të kompensojë me 30 mijë lekë në muaj, për tre muaj rresht, rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet e skemës së ndihmës ekonomike. Une nuk jam dakord me ata që thonë hiqni apo ulni TVSH e mallrave të shportës. Është e thjeshtë pse. Efektet e rritjes së çmimeve të shportës ushqimore nuk i ndjejmë të gjithë njëlloj. Ata që paguhen më pak i ndjejnë më shumë pasojat e luftës. Prandaj ata duhen ndihmuar direkt me një mbështetje cash, aq sa është edhe efekti i rritjes së çmimeve. Ata që paguhen më shumë të paguajnë sipas çmimeve të tregut.” – shkruan Balla.