Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: PD duhet të bashkohet, e shoh Bashën pjesë të grupit parlamentar


Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, tha mbrëmjen e sotme se partia duhet të bashkohet dhe se gjithçka duhet të zgjidhet me debate brenda grupit.

Ajo ishte e ftuar në rubrikën ‘Kjo Javë’ në News24 ku tha se pavarësisht qëndrimit zyrtar shumë deputetë të grupit parlamentar kanë mbështetur Foltoren.

“Nga 9 shtatori deri sot që flasim, pavarësisht nga mendimi që kanë pasur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, di të them se shumë pak kanë qenë në mbështetje të vendimit të zotit Basha. Kemi qenë disa deputetë që e kemi kundërshtuar. E gjithë rrjedha e ngjarjeve që nga 9 shtatori, kanë bërë që një pjesë e mirë e deputetëve të jenë përkrahës së foltores apo të mbështesin Komisionin e Rithemelimit. Çdo ditë ka takime, diskutime. Nuk më pëlqen fjala negociata që përdoret rëndom. Kemi mendime të kundërta, por Kuvendi i 11 dhjetorit ka rikthyer votën e lirë në PD, mund të ndërtohen fraksione. Pra duhet të jemi bashkë. Edhe te biseda që u bë me zotin Berisha, Alibej dhe Bardhi, u tha që edhe debati të bëhet brenda grupit.” – tha Vokshi.

Ajo shtoi më tej se ish-kreun e PD-së Basha e njeh prej shumë vitesh dhe se ai ka pasur mbështetjen maksimale të të gjithë deputetëve dhe demokratëve.

Deputetja bëri edhe njëherë thirrje për bashkimin e partisë e jo përçarjen e saj. Vokshi tha se Basha është pjesë e PD-së dhe mund të ketë veprimtari mjaft të mirë si deputetë i PD-së në parlament. Po kështu Vokshi tha se PD-ja do jetë në krye të protestave të qytetarëve.

“Unë zotin Basha e njoh prej shumë e shumë vitesh. Kemi qenë në të njëjtën kohë në Kosovë. Njohja me të është para se t’i futej politikës, e kam konsideruar mik. I kam dhënë mbështetje maksimale. Kemi pasur ditë të mira, por edhe ditë jo të mira, për të cilën ndjej keqardhje. Ne komunikojmë, sepse në Kuvend një përshëndetje dhe e kemi. Ne me njëri-tjetrin, veçse kemi qenë miq, mendoj që ana njerëzore duhet të tejkalojë mendimin ndryshe. Ajo që dua them është që e kemi mbështetur për shumë vite zotin Basha. Jo vetëm unë, zoti Berisha i pari, e të gjithë ne të tjerët. Sot dolën foto që Basha ishte duke ikur diku jashtë. Nuk dihet se si qëndron e vërteta. Po kërkesa dhe thirrja ime është që të ndalen tentativat për përçarje. Edhe njerëzit që vazhdojnë të jenë afër tij, të mbajnë akte përbashkuese. E kemi jetike këtë. Kjo është jetike për opozitarizmin. E shoh Bashën pjesë të grupit parlamentar. Ai nuk u bë asnjëherë lider në PD, apo opozitën shqiptare, por ai mund të jetë një deputet me aktivitet shumë të mirë. Zoti Basha është i ftuar.” – shtoi Vokshi.