Vendosni fjalën kyçe....

Blinken: SHBA nuk ka strategji për ndryshimin e regjimit në Rusi


Shtetet e Bashkuara nuk kanë një strategji për ndryshim regjimi në Rusi, u tha gazetarëve të dielën Sekretari i Shtetit Antony Blinken pasi presidenti Joe Biden tha një ditë më parë se Presidenti rus Vladimir Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

“Mendoj se Presidenti, Shtëpia e Bardhë thjesht theksuan se presidenti Putin nuk mund të mbështetet në luftën ose agresion kundër Ukrainës apo ndaj kujtdo tjetër,” tha zoti Blinken në një konferencë shtypi gjatë një vizite në Jeruzalem.

“Siç e dini, dhe siç na keni dëgjuar të themi vazhdimisht, ne nuk kemi një strategji për ndryshim regjimi në Rusi apo kudo tjetër, për këtë çështje. Në këtë rast, si në çdo rast, varet nga populli i vendit në fjalë. Varet nga populli rus,” tha Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, raporton VOA.

Në një fjalim gjatë udhëtimit të tij në Poloni, Presidenti amerikan Joe Biden tha se udhëheqësi rus Vladimir Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”, komente që një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë se kishin për qëllim të përgatisin demokracitë e botës për një konflikt të zgjeruar mbi Ukrainën dhe jo të mbështesnin ndryshimin e regjimit në Rusi.

Komentet e zotit Biden, përfshirë një deklaratë më herët gjatë ditës ku ai e quaji presidentin rus Putin “kasap”, ishin një përshkallëzim i qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Moskës lidhur me agresionin e saj në Ukrainë.