Vendosni fjalën kyçe....

“Jam mirë” – Djali i Schumacherit del nga spitali pas aksidentit që pësoi në “Formula 1”


I biri i legjendës së “Formula 1” Michael Schumacher, ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pas aksidentit të rëndë që pësoi në garë ditën e shtunë.

Piloti i “Formula 1”, Mick Schumacher u transportua në spital të shtunën pas një aksidenti të frikshëm që pësoi në pistë gjatë kualifikimeve për Çmimin e Madh të Arabisë Saudite. Por ai thotë se është “mirë”.

“Përshëndetje të gjithëve, vetëm dua t’ju tregoj se jam mirë. Faleminderit për mesazhet e ngrohta. Do të kthehemi më të fortë.”– ka shkruar Mick Schumacher.

Siç shkruan CNN, një vlerësim fillestar i mjekëve zbuloi se ai nuk pësoi lëndime, por megjithatë shoferi 23-vjeçar u dërgua në spital për “kontroll paraprak“.

Ekipi i tij Haas njoftoi më vonë se Mick kishte dalë nga spitali dhe ishte kthyer në hotelin e tij.

Schumacher humbi kontrollin e makinës së tij dhe u përplas kokë më kokë me një tjetër. Pak çaste pas përplasjes, flamuri i kuq u ngrit për të lejuar ekipin mjekësor të kujdeset për shoferin gjerman.  Schumacher u shfaq në transmetim i ulur në një barelë dhe duke biseduar ndërsa priste të transportohej në spital.

Pas aksidentit, skuadra njoftoi se Schumacher nuk do të marrë pjesë në “Grand Prix” të planifikuar për të dielën, duke shtuar se vetëm një nga pilotët e tij, Kevin Magnussen, i cili u kualifikua i 10-ti për garën e së dielës, do të marrë pjesë.