Aktivistë të Organizatës Politike, kanë protestuar mesditën e sotme përpara drejtorisë së Policisë së Tiranës, pas rastit të djeshëm ku dy motra u dhunuan ndërsa ecnin në rrugë pranë lagjes së tyre, nga një 30-vjeçar.
Në protestë ishin edhe dy motrat Ruko që u dhunuan.
Gjatë një prononcimi për mediet, dy vajzat thanë se kishte 8 kallëzime penale ndaj dhunuesit të tyre, Denis Telo, por ai vazhdimisht ishte lënë i lirë.
“Ata e lanë të lirë Denisin që ai të na dhunonte akoma më shumë. A do mbani përgjegjësi ju dhe këtu të ketë hetim për atë që ka ndodhur? Sepse kjo është e qartë dhe e dukshme. Unë e kam për gjykatën dhe ata që kanë firmosur lirim e tij.
A është më i fortë miku se ligji? Në qeli nuk duhet të rrijë vetëm Denisi por ai që e liroi atë. Liria është e jona dhe nuk ia lëmë të na e marrë Denisi. Ngjarja është e pazakontë të dhunohesh nga një i panjohur. Kishte 8 kallëzime për këtë rast dhe personi ishte Akoma i lirë.
Nuk e kuptoj si mund të lihet i lirë një person që është dhunues. Ka vajza të tjera që janë dhunuar nga Denisi në rrugët e qytetit. Denisi nuk është i vetmi por ky është rast flagrant. Ne kërkojmë të bëhet hetim se kush e ka liruar Denisi që ai të lihet i lirë pas tetë kallëzimeve në polici. Ai është një dhunues serial.
Lëviz këtu ku jemi ne dhe ka edhe shtëpinë e vet. Ne kërkojmë të merren masa. Denisi nuk mund të jetë i lirë dhe të lëvizë në qytet. Edhe vajza dhe gra të tjera do jenë më të pasigurta. Ishte një moment shokues. Në jetën time nuk ka marrë asnjë shuplakë nga askush përveç policisë së shtetit në protesta. Nuk ka as hetim ndaj këtij personi.”– tha njëra prej tyre.
Aktivistet kanë paralajmëruar se nëse nuk do të merren masa, do të ketë protesta të tjera. Ato i konsiderojnë institucionet janë fajtore për rastin në fjalë.