Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar në lidhje me daljen e ministrave dhe deputetëve të Partisë Socialiste ditët e fundit në terren për inspektimin e çmimeve të rritura.
Në një postim në rrjetet sociale, Vasili shkruan se nuk ka nevojë për “karagjozllëqe të tilla” por për ulje ligjore të taksave e tatimeve që rëndojnë mbi to. Ai i bën thirrje kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, të mos luajnë më “propagandë dhe komedi” me varfërinë e njerëzve ndërsa rendit disa kërkesa.
“Karagjozët pseudoinspektorë të oligarkëve, komedi të zezë me çmimet e shqiptarëve!
Nga Edi Rama e deri tek ministra e deputetë janë lëshuar si karagjozë të vërtetë e bëjnë si inspektorë të rremë çmimesh.
Kontrolli i çmimeve nuk ka nevojë për karagjozllëqe të tilla, por për ulje ligjore të taksave e tatimeve, që rëndojnë mbi to.
Karagjozë hiqni TVSH mbi ushqimet e shportës.
Karagjozë hiqni taksën e qarkullimit e të karbonit për naftën, se propozimin e keni në Kuvend prej dy javësh.
Karagjozë lërini Bordet e trasparencës që janë thjesht pazar hajdutësh, por bëni ulje të ligjshme të taksave.
Karagjozë shembni monopolet dhe boll u bëtë lolo dhe klientë në duart e tyre.
Këtë kanë bërë të gjithë shtetet serioze dhe që mendojnë për qytetarët në ballkan dhe Europë.
Boll luajtët propagandë dhe komedi me varfërinë e njerëzve, këtë nuk e ha më askush.”- shkruan Vasili.