Vendosni fjalën kyçe....

Sulmoi me grushte dy vajza në rrugë, arrestohet 30-vjeçari në Tiranë (VIDEOJA)


Pas një videoje të rëndë që ka qarkulluar në rrjetet sociale ku një burrë shihet duke goditur dy kalimtare në zonën e “Myslym Shyrit”, policia ka vënë në pranga të dyshuarin 30-vjeçarin Denis Telo.

Ky i fundit është i njohur për qytetarët e kësaj zone për të cilët është kthyer në tmerr, pasi ndaj tij ka një sërë denoncimesh për akte të dhunshme.

Gjatë ditës se djeshme shtetaset me inicialet A. R., 26 vjeçe dhe M. R., 29 vjeçe, banuese të dyja në Rrugën e Bogdanëve, e akuzuan Telon se i ka goditur me grushte pa arsye po në këtë rrugë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

– D. T., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ‘Plagosja e lehtë me dashje’.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë ditës se djeshme kanë bërë kallëzim shtetaset A. R., 26 vjeçe dhe M. R., 29 vjeçe, banuese të dyja në Rrugën e Bogdanëve, se një shtetas i ka goditur me grushte pa arsye po në këtë rrugë, rast i cili është bërë publik dhe në rrjete sociale.

Pas denoncimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasin D. T., ku në përfundim të veprimeve u bë dhe arrestimi i tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”– thuhet në njoftimin e Policisë.

Videoja e momentit të incidentit është bërë virale në rrjet.