Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në Komisariatin e Policisë në Kamëz, kush është i riu që humbi jetën dhe dy personat e lënduar


Mbrëmjen e kaluar një person humbi jetën nga zjarri që ra në Komisariatin e Policisë numër 5 në Kamëz.

Sipas televizionit “News 24”, viktima është një djalë 26-vjeçar i quajtur Arben Mici, banues në Cerkezë. Ai ndërroi jetë në spital për shkak të asfiksisë.

Mësohet se Mici ishte arrestuar për dhunë në familje, pasi akuzohej se kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.

Ndërkohë në spital janë dërguar dy persona. Një prej tyre është 62 vjeçari, Dilaver Idrizi, i cili është arrestuar pasi akuzohet se hodhi partneren e tij nga ballkoni i katit të tretë. Një ngjarje që tronditi opinionin publik, pasi u desh një javë për të zbuluar se ngjarja nuk kishte qenë aksidentale siç u raportua fillimisht.

I plagosuri i dytë është punonjësi i policisë Hajredin Boja. Të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Deri më tani nuk dihen rrethanat se si shpërtheu zjarri, por uniformat blu kanë nisur hetimet.

“Më datë 26.03.2022, në Kamzë, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në rrethana ende të paqarta, ka rënë zjarr dhe si pasojë janë dëmtuar dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit e ndaluar A. M., D. I., dhe punonjësi i policisë H. B.

Shtetasi A. M., ka ndërruar jetë në spital.

Me ndërhyrjen e zjarrfikëseve dhe të punonjësve të Policisë të Komisariatit Nr. 5, zjarri u shua.”- bënte me dije Policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.