Vendosni fjalën kyçe....

Alfred Balla zgjidhet kryetari i ri i KLP-së


Pas 3 vitesh si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla është zgjedhur si kryetari i ri i këtij institucioni.

Emërimi i tij u bë në mbledhjen e sotme të KPL-së, ku të pranishëm ishin anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programit OPDAT.

Balla përmendi disa nga karakteristikat dhe kriteret që ai ka për këtë post.

 “Eksperienca ime 3 vjeçare si anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë që nga dita e parë e krijimit të tij, si një organ i ri Kushtetues i qeverisjes së sistemit të prokurorisë.

Përvojat e mia profesionale juridike 31-vjeçare në sistemin e Prokurorisë, Gjykatës së Lartë, Avokatisë, pranë Këshillit të Ministrave dhe ajo 15-vjeçare akademike, të cilat më japin aftësinë të jem në gjendje të njoh imtësisht sistemin e drejtësisë në vend, nevojat e problemet e tij.”– u shpreh Balla gjatë prezantimit të platformës së tij përpara anëtarëve të KLP-së.

Kryetari i ri i KLP-së kërkoi besimin e anëtarëve të tjerë duke siguruar se do të vijojë punën për mirëmenaxhimin e burimeve njerëzore të administratës së Këshillit, rritjen e kapaciteteve profesionale të Këshillit, të magjistratëve, të stafit administrativ të Këshillit dhe të zyrave të prokurorive.

Gjithashtu ai garantoi rritjen e intensitetit të bashkëpunimit institucional.

“Secili anëtar i Këshillit përfaqëson një personalitet profesional e moral më vete, ka qëndrimin e tij të pavarur dhe vota është një e drejtë personale e tij, por mendoj, një organ kolegjial duhet të përshkohet nga një frymë e ngushtë bashkëpunimi për të arritur qëllimin për të cilin ai funksionon. Do të punoj fort për një frymë të re për të arritur emëruesin e përbashkët të punës së gjithkujt nga ne në këtë Këshill që është mirë administrimi i sistemit të prokurorisë, dhe kthimi i besimit të çdo qytetari tek shteti i së drejtës.”- deklaroi Balla.

Përpara se të zgjidhej, Balla ushtronte detyrën e zëvendëskryetarit të këtij këshilli. Ai është zgjedhur nga Kuvendi, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë si përfaqësues i Shoqërisë Civile.

Në këtë detyrë, Balla zëvendëson Gent Ibrahimin, të cilit i kishte mbaruar mandati që më 19 dhjetor 2021.