Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor për ‘Çështjen Beccheti’.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, lidhur me vendimin në fjalë nuk është arritur numri i nevojshëm i votave të kërkuara për vendimmarrje.
Gjykata Kushtetuese njofton gjithashtu se vendimi përfundimtar do shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.
Njoftimi
“Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 80/2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e Arbitrazhit “Beçhetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje Gjykata Kushtetuese konstatoi se nuk u arrit numri i kërkuar i votave për vendimmarrje, sipas nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, në lidhje me legjitimimin e ¼-ës të deputetëve që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues në raport me ¼-ën e deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese
Vendosi:
Rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.”