Maqedonia e Veriut ka shpallur ‘persona non grata’ pesë diplomatë rusë. Ministria e Jashtme njoftoi se i ka dorëzuar një notë ambasadorit rus në Shkup, Sergej Bazdnikin duke e njoftuar me vendimin.
Ministria thekson në një komunikatë se punonjësit e ambasadës ruse kishin kryer aktivitete që bien ndeshë me Konventën e Vjenës dhe se ata do të duhet të largohen nga territori i Maqedonisë së Veriut brenda një afati pesëditor. Por nuk jepen hollësi të tjera lidhur me veprimtarinë e pesë diplomatëve rusë.
Në Nenin 9 të Konventës thuhet: “Shteti që jep akreditimin, në çdo kohë mund ta dëbojë shefin e misionit apo cilindo qoftë anëtar të personelit diplomatik edhe pa patur nevojë për arsyetimin e këtij vendimi”.
Maqedonia e Veriut pati dëbuar një diplomat rus në maj të vitit të kaluar për veprimtari në kundërshtim me Konventën e Vjenës dhe një tjetër më pas për t’u solidarizuar me politikat e Bashkimit Evropian. Edhe Moska i qe përgjigjur Shkupit me masa reciproke, raporton VOA.