Vendosni fjalën kyçe....

Taulant Balla: Presim propozimet për presidentin e ri, shpresoj të jetë shumë më i mirë se ai që kemi


Brenda grupit parlamentar të PS kanë filluar konsultimet për emrin e presidentit të ri.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taluant Balla ka zbuluar për mediat detaje nga mbledhja e grupit, duke u shprehur se është kërkuar nga deputetët që ata të jenë në terren gjatë fundajës dhe të vijnë me rezultate konkrete.

E gjatë fjalës së tij, u ndal edhe tek zgjedhja e presidentit të ri. Balla u shpreh se një tjetër sfidë është zgjedhja e presidentit dhe janë kërkuar që deputetët të sjellin kandidaturat më të përshtatshme.

“Çdo deputet i PS-së gjatë gjithë fundjavës duhet të jetë prezent në territor për të marrë vendime që lidhen me angazhimin e deputetëve. Më 31 mars është seanca e radhës e Kuvendit, për çështjet në rend dite kemi diskutuar. Kemi diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar se po afron drita ku Kuvendi duhet të ketë kalendar që çon në zgjedhjen e presidentit. Siç e thotë Kushtetuta jo më vonë se 24 maji duhet të vijojë procesi për zgjedhjen e presidentit. Në këtë kontekst, PS që ka udhëheqësin e këtij procesi për shkak se është shumica, do të zhvillojë një proces.

Ky proces duhet të jetë i hapur konsultimesh, natyrshëm brenda suazës së Kuvendit të Shqipërisë. Bashkë me mua do të jetë kolegia Spiropali dhe kolegu Gjiknuri, të mandatuar nga grupi parlamentar për të diskutuar me grupet e tjera parlamentare, për të instucionalizuar një dialog konstruktiv për zgjedhjen e presidentit. Po ashtu këto konsultime prej sot kanë filluar dhe brenda grupit tonë parlamentar.

Deputetëve u është kërkuar të vijnë me propozime konkrete, që të kemi gati ato që mund të jenë kandidatura të mundshme për t’u mbështetur më pas me firmat.”- tha Balla.

Po ashtu, Balla ironizoi presidentin aktual Ilir Meta, duke thënë se Shqipëria padyshim që do të ketë një presidenti më të mirë se ai.

“Ajo që… dhe këtu po flas në cilësinë time si kryetar i grupit të PS, Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për një president normal. Natyrshëm që s’kemi pasur një profesionist mbi palët, por një palë mes palëve. Ishte mes palëve, të palëve të opozitës. Ajo që na duhet ne është që Shqipëria të zgjedhë një president që të jetë diametralisht i kundërt me atë që ka përfaqësuar Ilir Meta. Shpresoj që Shqipëria të ketë një president/presidente shumë më të mirë dhe të pakrahasueshëm se ai që kemi.”– u shpreh Balla.