Në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore, opozita ka kërkuar llogari nga institucionet lidhur me ngjarjen e rëndë të së shtunës që ndodhi në Komisariatin nr. 5 në Kamëz, ku si pasojë e një zjarri humbu jetën një 26-vjeçar dhe u plagosën dy persona të tjerë.
Deputetja e PD-së Dhurata Çupi gjatë fjalës së saj shpreh se rekomandimet e Avokatit të Popullit për situatën në burgje nuk janë zbatuar, ndërsa kërkoi që institucionet përgjegjëse të japin llogari. Sipas saj, duket qartë një pa-përgjegjshmëri e institucioneve për të marrë masa për kushtet e paraburgimit.
“Ne duhet të reflektojmë dhe të mbajmë qëndrim si komision. Kërkojmë të kemi informacionin e duhur, ndaj duhet të vij në komision Avokati Popullit, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Burgjeve dhe të na sqarojnë.
Ka pasur shumë raporte të Avokatit të Popullit në qershor të 2021, ka pasur edhe një muaj më parë një raport të komitetit të Helsinkit për këtë komisariat. Ka pasur rekomandime nga avokati i popullit, janë 10 rekomandime, ku kërkohet marra e masave të nevojshme të sigurisë, marrjen e masave të menjëhershme për kamerat e sigurisë brenda komisariatit 5, marrjen e masave për pajisjen me dushe, për marrjen në pyetje të personave të shoqëruar ndaluar apo arrestuar në dhomën e intervistimit, marrjen e masave të nevojshme për sigurimin e kushteve për jetesë normale të shtetasve të ndaluar, marrjen e masave për instalimin e sistemit të ngrohjes me kaldajë, etj.
Duket qartë një pa-përgjegjshmëri e institucioneve përgjegjëse për të marrë masa ku ngjarja tragjike i vendos kapakun papërgjegjshmërisë. Ju ftoj që kërkesës tonë t’i bashkëngjitet edhe kërkesa juaj ku në komisionin e ligjeve të vijnë të japin informacion, dhe gjithçka është bërë nga institucionet për të marrë masa për këto rekomandime. Është tragjike humbja e jetës së një të riu por ne nuk mund të lëmë pa një përgjegjësi në mënyrë që në vazhdim të mos ndodhin ngjarje të tilla.”- u shpreh deputetja demokrate.
Pas deklaratës së Çupit, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, u përgjigj se aktualisht po bëhet hetim i brendshëm i thelluar për rastin. Ajo kërkoi që ngjarja të mos trajtohet me emocion dhe nxitim, por me “maturitet e sinqeritet”.