Vendosni fjalën kyçe....

“Djemtë e Sorosit nuk na japin mikrofonin, po sabotojnë protestën” – Dy grupe protestuesish para Kryeministrisë


Duket se protestuesit që janë mbledhur këtë të martë përpara Kryeministrisë janë ndarë në dy grupe.

Një protestuese në një prononcim për mediet akuzoi grupin e Adriatik Lapajt se po i mohojnë lirinë e fjalës duke mos i dhënë mikrofonin. Duke i quajtur “djemtë e Sorosit”, protestuesja thotë se ky grup po mundohet të sabotojë protestën.

“E shikoni këtë mikrofonin këtu? Këtë mikrofonin këtu e kanë sjellë ata aktorët atje. Ata janë djemtë e Sorosit që nuk duan të lejojnë fjalën e lirë. Janë aktorët që bëjnë sikur protestojnë, prandaj njerëzit janë lodhur nga protestat. E kuptoni që grupi i atdhetarëve rri veç?! Sepse këtu futen aktorët që bëjnë qejf me neve. Ai thotë nuk jam organizator i protestës, por unë nuk ta jap mikrofonin thotë se duhen sloganet.

Sloganet janë gjethet e pemës së vyshkur. Kush janë rrënjët e pemër, kush janë rrënjët e problemit? A i dimë ne? Këta janë aktorët që sabotojnë protestat qytetare, kauzat e drejta.”– tha qytetarja.

Kjo deklaratë erdhi pasi pak më herët përfaqësuesi i “Qëndresës Qytetare”, Migen Qiraxhi, tha se ditën e sotme kanë vendosur që protesta të fokusohet më së shumti te sloganet dhe fjalimet janë ndaluar.

Sipas tij qëllimi i tyre është që të ushtrojnë presion te qeveria, që çmimet të pësojnë një normalizim.

“Për të pasur një formë të re komunikimi, kemi arsyetuar dhe lajmëruar që sot do të jetë ditë pa fjalime. Ne do të duhet të kemi sistemin e audios, për të orientuar dhe sjellë vëmendjen. Janë suportet që ne i kemi marrë masash, për turmën e njerëzve që duhen të udhëzohen. Foninë e kemi marrë për të kënduar një himn. Kemi shpërndarë disa altoparlantë për të pasur më shumë zë. Këto janë forma të re të protestuesit. Ne kemi kaluar në një fazë tjetër. Nëse dy javësh ishim në teorinë që shqiptarët nuk protestojnë, besoj që në këto protesta kemi parë se si reagojnë qytetarët. Ka një mori arsyesh, që nisin me atë kthim 365 gradë të kryeministrit që tha qeveria nuk hy në treg, ndërsa tani ndërhyri.”– u shpreh ai.

Protestuesit kanë paralajmëruar se nesër një protestë me pjesëmarrje më të lartë do mbahet madh para zyrave të SPAK-ut në orën 13:00.

Kërkesat e protestuesve:

-Heqje i taksës së qarkullimit

-Pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.

-Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë

– Zgjerim i skemës se kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.

– Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës

– Përcaktim i minimumit jetik.

– Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve.