Vendosni fjalën kyçe....

Holanda dëbon 17 diplomatë rusë: Dyshohen për spiunazh


Holanda po dëbon nga vendi 17 persona të akredituar si diplomatë në misionet ruse të cilët akuzohen për spiunazh. Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate nga Ministria e Punëve të Jashtme ku thuhet: “Ambasadori rus u thirr sot në Ministrinë e Jashtme.”

Siç citon TASS, më pas njoftimi vijon: “Ambasadori u informua se Holanda po dëbonte 17 oficerë të inteligjencës nga vendi”.

Arsyeja e dëbimit, sipas ministrisë, ishin “informacionet nga shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë së përgjithshme dhe ushtarake, që tregonin se këta individë, të akredituar si diplomatë në misionet ruse në Holandë, po kryejnë në mënyrë të fshehtë aktivitete të inteligjencës”.

Ministria e Jashtme shtoi se prania e këtyre personave në vend u konsiderua si e padëshirueshme, dhe se dëbimi i tyre kryhet në kuadër të masave për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

“Përvoja tregon se Rusia nuk i lë pa përgjigje masa të tilla.”– tha ministri i Jashtëm holandez Wopke Hoekstra. “Nuk mund të spekulojmë për këtë, por Ministria e Jashtme është e gatshme ta zhvillojë situatën sipas skenarëve të ndryshëm.”

Më herët, një numër vendesh të tjera të BE-së, përfshirë Bullgarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Sllovakinë dhe Estoninë, njoftuan dëbimin e diplomatëve rusë.