Vendosni fjalën kyçe....

Pas kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e Alqi Bllakos, Rama mbledh kabinetin qeveritar


Kryeministri Edi Rama po zhvillon një mbledhje me kabinetin e tij qeveritar, pak orë pasi SPAK kërkoi arrestimin e deputetit Alqi Bllako për aferën e inceneratorëve.

Mbledhja e kabinetit qeveritar po mbahet në Vila 31, megjithatë ende nuk dihet zyrtarisht nëse çështja e Bllakos është një nga temat e diskutimit.

Ky i fundit akuzohet për ‘shpërdorim detyre’, pasi ka tjetërsuar dokumente që lidhen me shpronësimin e pronave për inceneratorin e Fierit.

Pasditen e së mërkurës pritet që të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së PS-së, ndërkohë që Këshilli i Mandateve do të mblidhet nesër.

Pasi lëshoi sot disa urdhërarreste për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit, SPAK i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit heqjen e mandatit.

“Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal ‘arrest në burg’.“– thuhej në njoftimin e SPAK.

Kujtojmë se lidhur me aferën e inceneratorëve, aktualisht është pas hekurave dhe po hetohet ish-ministri i mjedisit Lefter Koka.