Gazetari Patrik Sadikaj ka reaguar pas aktit të djeshëm të spastrimit të zyrës së shtypit të Bashës në WhatsApp-in e PD-së nga ana e Foltores.
Ai shkruan se reagimi i tij ka të bëjë me demokratët të cilët, shkruan Sadikaj, kanë përfunduar në duart e disa njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me PD-në.
Sadikaj shkruan se demokratët janë të vetëdijshëm se shumë prej atyre që e kanë fshirë nga grupi WhatsApp deri dje kanë qenë në anën e kundërt me demokratët.
“Nuk e kisha në plan të reagoja fare, por heqja ilegale nga grupi i punës në Ëhats App që mundësonte komunikimin me median, më detyroi të them nja dy fjalë si sqarim. Jo për tu qarë e as për tu ankuar. Fundja nga PD nuk më heqin dot ata që me PD kanë lidhje krejt tjera nga ato politike, shpirtërore e morale. Reagimin e kam për gjithë ata demokratë që sot kanë përfunduar në dorë të disa njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Në dorë të atyre, që kur unë burgosesha, rrihesha e kërcënohesha nga policia dhe bandat e pushtetit të vitit 98-99, ata i gëzoheshin benefiteve që u jepnin bijtë e pushtetit. Demokratët e dinë se shumë prej atyre që sot më fshijnë mua në mënyra komuniste, ilegale, pa thënë asnjë fjalë, janë aty jo se janë demokratë. Gjithkush e di se ata skanë asnjë lidhje me PD e që deri dje ishin në barrikadën e kundërt me demokratët.” – shkruan Sadikaj.
Ai shkruan më tej se është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së i zgjedhur me votat e demokratëve në 2 mandate dhe i ka shërbyer PD-së pa asnjë kursim e pa vërejtur se kush ka qenë kryetar.
Sadikaj thekson se ndërsa ai është përpjekur e ka punuar vazhdimisht për interesin e PD-së e demokratëve, shumë të tjerë që janë sot në PD punonin kundër saj.
“Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar të PD i votuar nga shumica dërmuese e demokratëve në 2 mandate dhe i kam shërbyer Partisë Demokratike, pa asnjë kursim dhe pa e parë emrin e kryetarit. Madje kam qenë kritik ndaj tij, kur këta që sot flasin në emër të PD, lëpiheshin korridoreve dhe paradhomave për t’i fërkuar krahët dhe duke më sulmuar mua e të tjerë që mendonin si unë. Historia ime në PD, është më e madhe sesa interesi i atyre që duan pushtetin e PD, jo të mirën e PD. Kur unë punoja për të mirën e PD, disa prej tyre punonin kundër meje e kundër PD. E pavarësisht kësaj, unë as u bëra deputet e as ministër. Por prapë isha aty, duke punuar për PD, dhe këtë ata që fshihen pas makijazhit të bukur të ndonjë fasade, e dinë fort mirë se me disa prej tyre kam qenë krah për krah.” – vijon Sadikaj.
Në fund gazetari shkruan se edhe pse e kanë hequr nga puna nuk e ndalojnë dot që të jetë demokrat.
Sadikaj thekson se gjithë jetën ka punuar me djersën e ballit dhe se PD-së nuk është plaçka e askujt dhe u takon vetëm demokratëve.
“Gjithsesi, emrin mund të ma fshijnë nga grupi i ëhatsap, normalisht edhe nga puna mund të më heqin (në fakt e kanë bërë), por ama një gjë nuk ma heqin dot: të qenurit demokrat. Këtë nuk ma merr dot askush, qoftë edhe një njeri që lidhjen e vetme me PD ka diçka krejt tjetër veçse të mirës së PD. Mbase interesa të fshehta apo edhe jopolitike. Kush e di. Pasqyra në zyrën që më kanë marrë besoj do t’u shërbejë të shihen në të e të përballen me fytyrën e tyre reale…Unë kam jetuar me djersën e ballit dhe me asnjë djersë që del prej pjesëve të tjera të trupit dhe ashtu do të vazhdoj të jetoj për të mos i lënë asnjë hije të keqe fëmijëve të mi, që mbase nuk u garantoj asnjë luks, por ama dinjitet po. PD NUK ËSHTË PLAÇKA E ASKUJT DHE SI E TILLË I TAKON VETËM DEMOKRATËVE.” – mbyll reagimin Sadikaj.