Vendosni fjalën kyçe....

Potencialet e pashfrytëzuara, Eurostat: Shqipëria me varësi të lartë nga importet e energjisë në Europë


Shqipëria falë pozicionit të saj gjeografik dhe burimeve natyrore ka një potencial të lartë zhvillimi për të shfrytëzuar burimet e rinovueshme të vendit.

Sipas të dhënave të Eurostat vendi ynë kanë varësi të lartë nga importet e energjisë në raport me vendet të tjera të Europës dhe Rajonit të cilat kanë shumë më pak burime natyrore (ujë dhe diell) për të rritur kapacitet e prodhimit.

Të dhëna të krahasueshme të Eurostat tregojnë se, Shqipëria u rendit e 8-ta në Europë për varësinë e lartë të importeve të energjisë. Importet neto të energjisë së rinovueshme ishin sa 14.7 për qind e totalit të konsumit në vend.

Edhe Kosova e cila ka pak lumenj dhe mundësi të ulta të zgjerojë prodhimin me burime të rinovueshme kishte vetëm 15.9% varësi nga importet më 2020 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 16 për qind.

Në Europë vendet me varësinë të lartë të importeve të energjisë së rinovueshme janë Luksemburgu me 35.9%, Danimarka me 30.5%, Malta me 28%, Qipro me 25.9%, Belgjika me 19% dhe më pas Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

Në anën tjetër, Letonia, Estonia, Bosnja, Mali i Zi, Ukraina, Kroacia, Portugalia, Hungaria, Spanja, Lituania, Holanda, Sllovakia, Serbia, Bullgaria dhe Çekia janë eksportues neto të energjisë së energjisë së riovueshme.

Prej së gati 25 vitesh kur pushoi se funksionuari TEC i Fierit, Shqipëria e ka sistemin aktual energjetik të bazuar tërësisht në hidroenergji. Sektori i prodhimit të energjisë  është i paqëndrueshëm, pasi ka kapacitete të kufizuara gjeneruese ndaj kërkesës në rritje.

Nga ana tjetër sistemi është i kufizuar me një numër të konsiderueshëm problemesh teknike dhe jo teknike që lidhen me humbjet e rrjetit dhe shpesh vendi përjeton krizë energjetike.

Një nga sfidat kryesore të sektorit energjetik shqiptar është diversifikimi i burimeve të energjisë dhe plotësimi i nevojave nga burimet e vendit, duke ulur varësinë nga importi. Vendi ynë ka potenciale të konsiderueshme për burime të rinovueshme në formën e biomasës, gjeotermale, erës dhe diellit.

Shqipëria, me një sipërfaqe prej 28 mijë km2, ka një shpërndarje hidrografike prej 44,000 km2, ose 57% më shumë se territori shtetëror. Vendi ka potencialin për të prodhuar 16 deri në 18 TWh hidroenergji. Deri më tani është shfrytëzuar një e treta e potencialit.

Vendi ynë ka potencial për prodhimin e energjisë nga era përgjatë bregut të Adriatikut, sidomos në kodrat që shtrihen në drejtimin veri-jug përgjatë bregdetit. Parashikohet që 4% e sasisë totale të energjisë elektrike të prodhuar në vend (rreth 400 GWh/vit) deri në vitin 2025 të prodhohet nga era, por projektet në këtë drejtim nuk po përparojnë.

Nëse Shqipëria do të zhvillonte sistemin e paneleve diellore, prodhimi potencial i ujit të ngrohtë do të jetë i barabartë me sasinë e energjisë prej 1000 GWhtermik ose 125 MW termike të fuqisë së instaluar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor