Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria po rimodelon tregun, HEC-et e vegjël mund të kalojnë sërish tek KESH


Qeveria e gjendur në mes të një krize energjie e cila ndryshon formë dhe përshkallëzohet ditë pas dite po merr politika spontane dhe një ndër to është edhe ndryshimi i disa hallkave të tregut nga varianti origjinal.

Së fundmi sipas ekspertëve të sektorit në tryezë është një vendim që do të kalojë këto ditë dhe që lidhet me kalimin e prodhuesve me përparësi të energjisë nga OSHEE tek KESH.

Kjo do të bëjë që Korporata të ketë plotësisht nën kontroll prodhimin dhe sigurimin e energjisë dhe OSHEE të ketë vetëm shpërndarjen. Vendimi ende nuk ka kaluar dhe nuk ka marrë formën finale por mbetet për t’u parë se cila do të jetë procedura që do të ndiqet.

Nga janari i këtij viti, në kushtet e emergjencës në furnizim, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) është ajo që po bën blerjen e energjisë dhe po e kalon atë sipas nevojës tek Furnizuesi i Shërbimit Universal(FSHU). Për biznesin e vogël dhe konsumatorin fundor Furnizuesi paguan 2.6 lekë për çdo kilovat orë energji.

Ndërkohë që për biznesin në tension të mesëm KESH po kalon sasinë e energjisë tek OSHEE me 12 lekë/kwh. Kompania e shpërndarjes aktualisht po ble në treg të lirë vetëm sasitë e energjisë që i duhen për të mbuluar humbjet. Këto të fundit i merr një pjesë nga prodhuesit me përparësi të energjisë që janë hidrocentralet me kapacitet deri në 15 MW dhe impiantet fotovoltaikë. Diferenca që nuk plotësohet nga këto prodhues blihet në bursa.

Historia e prodhuesve me përparësi të energjisë që janë kryesisht hidrocentrale të vegjël nisi vite më parë nën varësinë e KESH. Në vitin 2016 ato kaluan të gjitha tek OSHEE e cila ble energjinë sipas një formule të miratuar me vendim qeverie dhe që ka në bazë bursën hungareze. Në vitin 2020 qeveria ndryshoi këtë formulë duke ulur bonusin e promovimit të burimeve të rinovueshme nga 1.3 në 1.2. Ky bonus është pjesë e formulës finale.

Kjo e fundit është “Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kwh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX DAM), i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kwh x bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.20 x normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit”.

Çmimi me të cilën blihet energjia nga këto HEC-e ndryshon çdo vit dhe miratohet nga ERE. Për vitin 2022 ky çmim ishte 8.5652 lekë me rritje 6.3 për qind në raport me çmimin e vitit 2021. Ky çmim edhe pse më i lartë se ai me të cilin OSHEE siguron energji nga KESH për tregun e rregulluar, në kushtet aktuale është një çmim i leverdishëm në raport me tregun e lirë./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor