Ndërsa PD nis një fazë të re dhe po punon për bashkimin pas muajsh të tërë të problemeve të brendshme në parti, demokratët i drejtohen Zotit për mbarësi. Në të martën e tretë të nisjes së pelegrinazhit 13 javor në Kishën e Shën Ndout në Laç, roja i PD-së Pëllumb Matraku ka treguar përmes rrjeteve sociale se dy zonja kishin ndezur qirinj dhe ishin lutur për mbarësinë e partisë.
Pëllumb Matrakun e njohin të gjithë demokratët pasi ka 24 vite që punon si roje e godinës së Partisë Demokratike, por pas konfliktit të brendshëm në parti ai u bë i njohur edhe për të tjerët, pasi vendosi të linte punën papritmas pas fortifikimit të selisë me dyer të blinduara një ditë para protestës së 8 Janarit.
Ai zgjodhi të largohej nga konflikti Basha-Berisha duke u kërkuar palëve që të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Tanimë në PD duket se po fillon një fazë e re, pasi kryetari Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen ndërsa Komisioni i Rithemelimit pas një vendimi të gjykatës që njohu statutin e ri të 11 Dhjetorit, ka marrë drejtimin e selisë.