Rubla ruse u forcua në nivelin më të lartë në më shumë se një muaj në tregtinë në Moskë të martën, ndërsa stoqet rifituan terren në sesionin e katërt që kur tregtimi rifilloi pas një pezullimi gati njëmujor.
Tregu rus po rihapet gradualisht pas një pezullimi të shkaktuar nga sanksionet gjithëpërfshirëse perëndimore që pasuan fillimin e asaj që Rusia e quan ‘një operacion special’ në Ukrainë më 24 shkurt, shkruan Reuters.
Rubla u rrit 2% kundrejt dollarit në 88.00, pasi më herët kishte prekur nivelin e 87.40, më i forti që nga 28 shkurti. Ajo humbi 0.3% duke u tregtuar me 96.89 kundrejt euros, pasi shënoi për një kohë të shkurtër nivelin më të lartë të një muaji.
Dy shtytës të fuqishëm e ndihmuan rimëkëmbjen e rublës – Kalimin nga ana e Rusisë në rubla për pagesat e eksportit të gazit dhe firmat eksportuese që janë të mandatuara të konvertojnë 80% të fitimeve të tyre në valutë të huaj në rubla – po mbështesin monedhën ruse, tha Iskander Lutsko, kryestrategu i investimeve në ITI Capital.
“Tregu tani varet vërtet nga përparimi në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës,” tha Lutsko për tregun rus të aksioneve, ndërsa të dy palët janë takuar sot për bisedime ballë për ballë në Turqi.
Ministria e Financave e Rusisë tha të martën se kishte paguar plotësisht një kupon në eurobondin e saj të vitin 2035, pagesa e tretë që nga sanksionet e Perëndimit të cilat vunë në pikëpyetje aftësinë e Rusisë për të shërbyer borxhin në valutë të huaj.