Vendosni fjalën kyçe....

Zëdhënësi i Kremlinit: Askush në Rusi nuk po mendon për përdorimin e armëve bërthamore


Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar se askush në Rusi nuk po shqyrton idenë e përdorimit të armëve bërthamore, sikurse aludohet në mediet perëndimore.

I pyetur nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte sugjeruar në deklaratën e tij të mëparshme se ai do të përdorte armë bërthamore nëse një palë e tretë përfshihej në konfliktin në Ukrainë, Peskov tha ‘JO’.

“Unë nuk mendoj kështu. Por ai ishte mjaft i guximshëm duke thënë ‘mos ndërhyni, nëse e bëni, ne i kemi të gjitha mundësitë për ta parandaluar atë dhe për të ndëshkuar të gjithë ata që do të ndërhyjnë’.”- saktësoi ai sipas TASS.

Kur u pyet nëse ai mund të përjashtonte përdorimin e armëve bërthamore në konflikt në emër të Rusisë, zëdhënësi i Kremlinit tha: “Askush nuk po mendon të përdorë… madje as për idenë e përdorimit të armëve bërthamore”.

Më tej Peskov u shpreh se vërejtjet e fundit tëpresidentit amerikan Joe Biden për liderin rus Vladimir Putin janë mjaft alarmante.

“Është mjaft alarmante. Para së gjithash, është një fyerje personale dhe vështirë se mund të imagjinohet një fyerje personale në retorikën e një lideri politik dhe veçanërisht të liderit politik të vendit më të madh në botë, Shteteve të Bashkuara. Pra, na vjen shumë keq për këtë.”– theksoi ai. “Deklarata e tij nëse Putini duhet apo nuk duhet të jetë në pushtet në Rusi është sigurisht e papranueshme. Nuk i takon presidentit të Shteteve të Bashkuara të vendosë se kush do të jetë dhe kush është presidenti i Rusisë, është populli i Rusisë ai që e vendos gjatë zgjedhjeve.”- shtoi Peskov.

Sipas tij, vendet perëndimore kanë shpallur “luftë totale ekonomike” kundër Rusisë.