Vendosni fjalën kyçe....

Zgjatja e vlefshmërisë së vizave/ Zv.konsullja amerikane: Viza vlen për 10 vjet, por s’do të thotë që mund të rrish në Amerikë po aq


Një ditë pasi ambasadorja amerikane Yuri Kim dha lajmin për zgjatjen e vlefshmërisë së vizave turistike dhe të biznesit nga 3 në 10 vjet për në SHBA, të tjera detaje mësohen lidhur me këtë vendim.

Në një intervistë për “TVSH”, zv.konsullja e SHBA-ve në Shqipëri, Crystal Overmyer sqaroi se çfarë do të thotë vendimi në fjalë.

“Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar që edhe pse viza vlen për 10 vjet, kjo nuk do të thotë që mund të rrish në Amerikë për 10 vite. Kjo do të thotë që mund të udhëtosh nga dhe për në SHBA në periudhën 10 vjeçare kur flasim për vizat turistike dhe biznes. Këto janë aktivitetet që përfshin kjo vizë. Ata që marrin këtë vizë mund të shkojnë për një periudhë 10 vjeçare për këtë lloj aktivitetesh.”– tha Overmyer.

Gjatë intervistës, ajo u shpreh se gjatë kësaj periudhe ambasada është duke procesuar një numër të madh kërkesash për vizë, duke qenë se dy vitet e fundit ato u reduktuan për shkak të pandemisë.

E pyetur lidhur me procesin, zv.konsullja tha se “Procesi do të mbetet kryesisht i njëjti. Procesi është i thjeshtë, aplikantët do të plotësojnë një formular DS 160 që e gjejnë online, të paguajnë tarifën dhe të vijnë në takim me dokumentet e duhura. Nëse viza jepet ata marrin pasaportën dhe vendndodhjen. Dua të përmend edhe programin që nëse një qytetar ka pasur një vizë që ka skaduar në 48 muaj ata mund të riaplikojnë dhe nëse kualifikohen janë të gjithë të ftuar të shohin lajmet në webin tonë.”