Ashtu sikurse kishte paralajmëruar, Alqi Bllako ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për dorëheqjen nga mandati i deputetit.
Kjo vjen një ditë pasi SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizim për arrestimin e deputetit të PS-së, si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit.
Pasditen e sotme pritet të mbahet mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut dhe për të hequr imunitetin e Bllakos.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar, Bllako reagoi duke njoftuar se ka vendosur të mos presë Kuvendin por ta dorëzojë vetë mandatin dhe do pranojë gjykimin si qytetar i thjeshtë.
Bllako shkruante se një proces i paparagjykuar do provonte që është i pafajshëm dhe shprehej i bindur se nuk ka shkelur ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
“Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.
Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!”- shprehej ai.
Bllako akuzohet se në kohën kur ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, ka kryer veprime të kundraligjshme lidhur me inceneratorin e Fierit, duke shkaktuar një dëm prej 16.288.344 lekësh ndaj buxhetit të shtetit.