Vendosni fjalën kyçe....

Anulohet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin – S’ka më kuptim pas dorëheqjes së Bllakos


Pas dorëzimit të mandatit të deputetit nga Alqi Bllako, tashmë nuk ka kuptim më të mbahet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Për këtë arsye, Kuvendi ka bërë me dije se kjo mbledhje është anuluar.

“Përshëndetje! Në vijim të njoftimit pararendës për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Ju bëj me dije se, pas depozitimit të shkresës për ‘Dorëzim të mandatit parlamentar’ nga Z. Alqi Bllako, Kryetarja e Kuvendit me urdhërin nr. 24. datë 30.03.2022 ka urdhëruar anulimin e mbledhjes të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e caktuar për tu zhvilluar ditën e mërkurë, datë 30.03.2022, ora 18:00

Në e-mail tuaj zyrtar ju janë dërguar:

Shkresa e zotit Alqi Bllako për ‘Dorëzimin e mandatit parlamentar’

Urdhëri nr. 24, datë 30.03.2022 për anulimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

Faleminderit”- thuhet në mesazhin e Kuvendit që i është dërguar anëtarëve të Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet.

Më herët ditën e sotme, deputeti Alqi Bllako ka depozituar në Kuvend deklaratën se heq dorë nga mandati i deputetit me “vullnet të plotë”.

Kjo për shkak të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dërguar Kuvendit, për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij. Bllako akuzohet se në kohën kur ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, ka kryer veprime të kundraligjshme lidhur me inceneratorin e Fierit, duke shkaktuar një dëm prej 16.288.344 lekësh ndaj buxhetit të shtetit.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Bllako shprehej i bindur se në fund të procesit hetimor ndaj tij do të provohet pafajësia.

“Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia ime, integriteti dhe ndershmëria në detyrën e ushtruar me këtë akt personal vihem në dispozicion të drejtësisë duke gjykuar t’i hap rrugën të pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë”- shkruan Bllako.