Arabia Saudite ka njoftuar ndalimin e të gjitha operacioneve ushtarake në Jemen, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të përhershme të konfliktit në vendin fqinj, njoftoi të martën në mbrëmje zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Riadi.
Rebelët Houthi të Jemenit kishin ofruar një armëpushim tre-ditor më parë, i cili mund të ishte i përhershëm nëse sauditët do bien dakord, thanë ata.
“Komanda e Forcave të Përbashkëta të Koalicionit shpall ndërprerjen e operacioneve ushtarake në Jemen duke filluar nga e mërkura, 30 mars 2022 (06:00).” – tha zëdhënësi i koalicionit, Gjeneral Brigade Turki Al-Maliki, pak para mesnatës.
Al-Maliki tha se kjo u bë me kërkesë të Dr. Nayef Al-Hajraf, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), ‘me qëllim të krijimit të kushteve të përshtatshme për këshillime të suksesshme dhe një mjedis të favorshëm për Muajin e Shenjtë të Ramazanit për të bërë paqe dhe për të arritur sigurinë dhe stabilitetin në Jemen’.
Njoftimi i Al-Malikit vjen tre ditë pasi rebelët Houthi të Jemenit ofruan një armëpushim tre-ditor që ata thanë se mund të bëhej i përhershëm nëse koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite do të ishte i gatshëm.
“Kjo është një ftesë e sinqertë dhe hapa praktikë për të rindërtuar besimin dhe për të çuar të gjitha palët nga arena e bisedimeve në arenën e veprimeve.” – tha të shtunën në një fjalim të transmetuar presidenti i Këshillit të Lartë Politik të Houthi-t, Mahdi al-Mashat Mashat në televizionin jemenas. Houthi do të ndalojnë sulmet e tyre me raketa dhe dron dhe do të presin që sauditët të ndalonin fushatën e tyre të bombardimeve dhe të zhbllokojnë portet e Jemenit, tha Mashat.
Propozimi i tij erdhi pas një sulmi shkatërrues Houthi në depot e naftës saudite ‘Aramco’ në Jeddah më 25 mars dhe një bombardimi të koalicionit ndaj kryeqytetit të Jemenit, Sanaa dhe portit të Hodeidah.
Në njoftimin e armëpushimit, Al-Maliki vuri në dukje se koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ‘ripohon pozicionin e tij të palëkundur në mbështetjen e qeverisë së ligjshme të Jemenit si në pozicionet e saj politike ashtu edhe në procedurat dhe masat ushtarake’, duke iu referuar rivalit të Houthis, të mbështetur nga Riadi.
Riadi dhe aleatët e tij nisën një luftë ajrore në Jemen në mars 2015, e ndjekur nga një fushatë tokësore më vonë, duke kërkuar të rivendosin presidentin e mbështetur nga sauditë, Abdrabbuh Mansur Hadi, i cili ishte rrëzuar nga rebelët Houthi. Koalicioni ka akuzuar grupin shiit si përfaqësues të Iranit, të cilin Teherani e ka mohuar.
OKB-ja ka vlerësuar se mbi 400,000 jemenas kanë vdekur për shkak të luftës, shumë prej tyre fëmijë nën moshën pesë vjeç që vdiqën për shkak të urisë dhe sëmundjeve të shkaktuara nga bllokada.