Vendosni fjalën kyçe....

Hillary Clinton dhe Komiteti Kombëtar Demokratik gjobiten për financimin e dosjes Steele


Komisioni Federal i Zgjedhjeve në SHBA, ka gjobitur stafin e Hillary Clinton dhe Komitetin Kombëtar Demokratik (DNC) për fushatën presidenciale në vitin 2016 për gënjeshtra për financimin e një dosjeje e cila tentoi të njolloste Donald Trump-in, raporton Washington Examiner.

Një dosje e shkruar nga ish-oficeri i inteligjencës britanike, Christopher Steele, iu dha FBI-së dhe mediave përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Pohimet e saj të paprovuara pretendonin se Rusia kishte informacione të sikletshme për Trumpin dhe disa nga këshilltarët e fushatës së tij. Akuzat kishin për qëllim të dëmtonin Donald Trump-in.

Komisioni tha se stafi i Clinton dhe Komiteti Kombëtar Demokrat shkelën rregullat strikte në përshkrimin e shpenzimeve të pagesave me destinacion firmën kërkimore “Fusion GPS” përmes firmës së tyre ligjore, raportoi Examiner të mërkurën.

Në një memo drejtuar Fondacionit Coolidge Reagan, Komisioni, i cili paraqiti një ankesë më shumë se tre vjet më parë, tha se gjobiti arkëtarin e Clinton-it me 8,000 dollarë dhe arkëtarin e DNC-së me 105,000 dollarë.

Fushata e DNC dhe Clinton pretendoi se një shumë prej 1,024,407,97 dollarësh iu pagua firmës ligjore Perkins Coie për shërbime ligjore dhe jo për kërkim informacioni nga “Fusion GPS”.

849,407,97 dollarë nga DNC dhe 175,000 dollarë nga stafi i fushatës së Klintonit – mbuluan kërkimet e “Fusion GPS” mbi dosjen, e cila nxiti të ashtuquajturën “mashtrimi Rus”.

Stafi i Clinton dhe DNC argumentuan se ata paguanin për “këshilla dhe shërbime ligjore” dhe ishte Perkins Coie, jo ata, që punësuan “Fusion GPS”.

Lajmi për gjobën erdhi më pak se një javë pasi Trump paditi Clinton dhe disa demokratë të tjerë, duke pretenduar se ata u përpoqën të manipulonin zgjedhjet duke e lidhur atë me Rusinë.

Igor Danchenko, krijuesi kryesor i dosjes, u arrestua në nëntor si pjesë e hetimit të këshilltarit special John Durham. Danchenko u akuzua për “pesë akuza për dhënie të deklaratave të rreme në FBI”.

Danchenko i dha informacion Steele, i cili përpiloi akuzat për Trump në një seri raportesh.